37 mijë gra ukrainase i janë bashkuar ushtrisë së Ukrainës
Tridhjetë e shtatë mijë gra janë pjesë e ushtrisë ukrainase dhe më shumë se 1,000 prej tyre janë bërë komandante, tha të premten zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenskam. “Shumica e mjekëve tanë janë gra, si dhe 50% e sipërmarrësve tanë që punojnë për ta mbështetur ekonominë në luftë.”
Pas disa muajsh grumbullimi dhe mohimesh të shumta se po planifikonte ndonjë pushtim të Ukrainës, Vladimir Putini njoftoi më 24 shkurt se kishte nisur një “operacion special ushtarak” për “çmilitarizimin dhe denazifikimin” e Ukrainës.
Analistët perëndimorë prisnin një pushtim të shpejtë rus të Ukrainës dhe duket se ka pasur vërtet përpjekje nga Rusia për ta shënjestruar drejtpërdrejt presidentin ukrainas, Volodomyr Zelenskiy, ndoshta në mënyrë që ta zëvendësojë qeverinë e tij me një tjetër që i nënshtrohet vullnetit të Moskës.
Mirëpo, nëse Putini priste një luftë të shpejtë dhe të lehtë me pak përballje ukrainase ose ndërkombëtare – sikurse kishte ndodhur kur kishte pushtuar Krimenë në vitin 2014 – kësaj radhe ka mbetur i zhgënjyer. Lufta ka rezultuar me rezistencë të ashpër nga ana e popullit dhe ushtrisë ukrainase si dhe me sanksione kundër Rusisë, aplikime për anëtarësim në NATO nga Suedia dhe Finlanda, dhe me rritje çmimesh të karburanteve dhe ushqimeve në vendet me mijëra kilometra larg zonës së konfliktit.
Sot është dita e 108 e invazionit rus në Ukrainë dhe zhvillimet më të fundit në dhe rreth këtij invazioni janë si në vijim:
Mbikëqyrësi botëror i armëve kimike thotë se po vëzhgon me vëmendje Ukrainën që nga pushtimi i Rusisë, duke i monitoruar “kërcënimet e përdorimit të kimikateve toksike si armë”. Shefi i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, Fernando Arias, u takua me kryetarin e parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk, për të diskutuar “zbatimin e konventës së armëve kimike”, tha të premten organizata me seli në Hagë.
Rusia ka shkatërruar 1,300 ndërtesa të larta në qytetin e Mariupol pa i larguar trupat e pajetë të banorëve, sipas Vadym Boichenko, kryebashkiak i Mariupol. Ai tha se kolera dhe sëmundje të tjera vdekjeprurëse mund të vrasin mijëra njerëz në qytetin jugor të Ukrainës pasi kufomat qëndrojnë të patërhequra dhe vera sjell mot më të ngrohtë.
Rusia e ka etiketuar një organizatë joqeveritare që lufton për hetime mbi akuzat për tortura si “një agjent i huaj”. Të premten, ministria ruse e drejtësisë e përditësoi listën e saj të internetit të subjekteve në listën e zezë për të përfshirë Komitetin Kundër Torturës, një organ i traktatit të të drejtave të njeriut i lidhur me Kombet e Bashkuara.
Moska njoftoi tërheqjen e saj të premten nga Organizata Botërore e Turizmit e OKB-së pasi kjo e fundit e pezulloi Rusinë në muajin prill si rezultat i pushtimit të saj ushtarak të Ukrainës. Qeveria ruse tha se “pranoi një propozim nga ministria e jashtme … në lidhje me tërheqjen e Rusisë” nga organizata, sipas një dekreti të nënshkruar nga kryeministri, Mikhail Mishustin.
Ihor Zhovka, këshilltari diplomatik i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë se Ukraina nuk do t’i “japë asnjë centimetër” territor Rusisë. Duke folur për Bloomberg, Zhovka tha: “Ne nuk do të japim territor, nuk do ta heqim asnjë centimetër – veçanërisht jo në Donbas. Rusia ka hedhur të gjitha forcat e veta në të – Unë nuk do të lodhem duke e përsëritur se Ukraina ka nevojë për furnizim të menjëhershëm me armë të rënda.”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka refuzuar të premten thirrjet e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, që nëse Serbia dëshiron që një ditë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian atëherë duhet vendosur sanksione ndaj Rusisë. Vuçiq tha se nuk beson se sanksionet janë “efikase” dhe se vendi i tij është në një pozitë të ndërlikuar, duke pasur parasysh marrëdhëniet e gjata të veçanta midis Serbisë dhe Rusisë.
Një video e një prej varrezave masive në Ukrainë është shfaqur në internet, tha të premten në Tëitter Qendra e Ukrainës për Komunikimet Strategjike dhe Sigurinë e Informacionit nën Ministrinë e Kulturës dhe Politikës së Informacionit.
Ukraina e ka kryer shkëmbimin e saj të 11-të të burgosurve me Rusinë që nga fillimi i pushtimit të Moskës në shkurt, duke shkëmbyer katër robër rusë me pesë ukrainas, shkroi në Telegram guvernatori i rajonit të Mykolaiv, Vitaliy Kim. Reuters e raportoi atë duke thënë se një nga ukrainasit e liruar ishte një kryetar fshati lokal, i cili ishte “rrëmbyer” nga forcat ruse më 10 mars.
Ukraina u përpoq t’i zmbrapste trupat ruse në lindje dhe jug të premten, ndërsa Franca ofroi të ndihmonte në sigurimin e qasjes në portin ukrainas të Detit të Zi të Odessa-s dhe lehtësimin e krizës globale të grurit. Një këshilltar i presidentit francez, Emmanuel Macron, tha se Franca ishte e gatshme të ndihmonte në një operacion për të lejuar qasje të sigurt në Odessa./The Guardian