Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

365 ditët e Vjosa Osmanit si ‘shefe e shtetit’

Për dallim prej paraardhësit të saj, Vjosa Osmani po e merrte sot 1 vit drejtimin e presidencës pa gaz lotsjellës e pa protesta, por me mjaft vështirësi në sigurimin e kuorumit në parlament, njëjtë sikur Hashim Thaçi dikur.

Më 4 prill 2021, vetëm në ruandin e tretë, Vjosa Osmani, që ishte deputetja më e votuar nga zgjedhjet e atij viti, mori besimin e deputetëve për të qenë presidente 5 vjeçare e Republikës së Kosovës.

Osmani erdhi në krye të Pesidencës, falë votave të deputetëve të Vetëvendosjes dhe Listës Guxo, por edhe falë shumicës së deputetëve të LDK-së që qëndruan në sallë dhe votuan, ndonëse kundër, por që ishin të domosdoshme për të siguruar proces të rregullt kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Në ‘ndihmë’ për t’ia bërë kuorumin e nevojshëm i kishin dalë edhe ish-bashpartiakët e saj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilët e kishin përjashtuar nga partia.

Njëjtë sikur në rastin e zgjedhjet së Hashim Thaçit president, kur u dashtë të bindeshin deputetët “e pabindur” për t’ia dhënë votën, e njëjta situatë u përsërit edhe më 4 prill të vitit të kaluar.

Ishte kryeministri Albin Kurti që në sallën e Kuvendit të Kosovës hyri “krahë për krahë” me deputeten e deriatëhershme të PDK-së, Adelina Grainca.

Po ashtu në kundërshtim me ‘bojkotin’ e partisë së saj, në seancë kishte ardhur edhe deputetja e AAK-së Albena Reshitaj.

Për hirë të procesit, Vjosa Osmani duhej ta kishte një kundërkandiat, e ai doli të jetë një koleg në Listën “Guxo”, Nasuf Bejta.

Vjosa Osmani, u zgjodh presidente vetëm në raundin e tretë kur mori 71 vota, nga 82 deputetë sa morën pjesë në votim, kurse kundërkandidati i saj, Bejta, nuk mori asnjë votë.

Sot pas një vitit, kandidati për president Bejta, që nuk mori asnjë votë, në një bisedë të shkurtë për KALLXO.com zgjedhi të “mos i bëjë opozitë” Vjosa Osmanit, por ta vlerësojë punën e saj.

“Në rrafshin e politikës së jashtme dhe të brendshme vendi nuk ka qëndruar asnjëherë më mirë. Presidentja Osmani është duke i kryer shkëlqyeshëm detyrat e saja. Për gjatë këtij viti presidentja Osmani ka qenë shumë unifikuese, me dinjitet dhe përformancë shumë të mirë është duke na përfaqësuar edhe në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Eksperti i protokollit, Tomorr Avdija duke komentuar mënyrën e udhëheqjes së presidencës nga Vjosa Osmani, thotë se asaj i ka ndihmuar përvoja e saj gjatë kohës sa ka shërbyer në kabinetin e ish-presidentit Fatmir Sejdiu.

Por megjithatë, Avdija ka gjetur disa raste që pretendon se Osmani ka shkelur rregullat e protokollit shtetëror.

“Gjatë takimeve brenda vendit, presidentja Osmani dhe krerët e shtetit kanë bërë disa lëshime duke përmendur edhe faktin se gjatë vizitave në kompleksin ‘Adem Jashari’ e shoqëruar nga kryeministri dhe kryetari i Kuvendit zakonisht janë prezantuar me anë të një kurore, për shkak se duhet ta përfaqësojnë institucionin me nga një kurore”, ka thënë ai.

Përplasjet politike të Vjosa Osmanit kanë qenë të vogla, për shkak gjatë presidencës së saj, në krye të qeverisë dhe kuvendit, ishin partnerët e saj të dikurshëm politikë.

Për dallim nga ish-presidenti Hashim Thaçi që kishte përcjellë gjatë presidencës së tij 4 kryeministra dhe jo rrallë herë shkaktonte ‘turbulenca’ tek qeveria dhe Kuvendi përmes debateve publike.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca si dhe kryeministri Albin Kurti deri më tani nuk kanë pasur qëndrime të kundërta apo përplasje mes vetë për çështje të rëndësishme publike, ose të paktën nuk janë raportuar.

Vitin e kaluar, kur Kosova pati ciklin e saj zgjedhor të zgjedhjeve lokale, presidentja Osmani, që është autoriteti që cakton datën e zgjedhjeve pas konsultimi me partitë politike, kishte vendosur të mos i konsultojë të gjitha partitë politike, por vetëm ato që janë pjesë e Parlamentit të Kosovës

E pyetur se përse nuk i ka ftuar edhe partitë që nuk kanë ulëse në Kuvend, e para e shtetit kishte thënë se ‘ajo vendosë vet kë ta thërras’.

“I kam ftuar ata që janë përfaqësues të qytetarëve në parlament, sepse ata sot e shprehin qëndrimin e qytetarëve. Standardi i njëjtë është aplikuar për të gjithë, dhe tek e fundit si presidente vendosi se kë do ta ftojë në takim si e para e shtetit”, ka thënë ajo.

Eksperti i Protokolit, Tomorr Avdija, raportin e Osmanit me krerët e institucioneve të tjera e ka vlerësuar si një detaj të rëndësishëm që duhet ta ketë presidenti në përfaqësim.

“Ajo ka mbajtur raport si në takimet shumëpalëshe si me opozitën ashtu edhe me zyrtarët e tjerë të shtetit, për dallim nga presidentët e tjerë që kanë pasur disa lloje fërkimesh. Nuk ka çaluar në asnjë raport me krye parlamentarin , kryeministrin dhe me opozitën dhe në këtë rast zonja Osmani përveç që ka ruajtur kodin etik por i është përmbajtur edhe raportit kushtetues që e ngarkon në detyrë”.

Nisja e mandatit të Vjosa Osmanit në krye të presidencës nuk dallon shumë me atë të Hashtim Thaçit kur vjen puna të raporti i tyre me mediat dhe gazetarët.

Takimet me gazetarët për një vit mandat, presidentja Osmani i pati të pakta.

Mundësia e vetme kur gazetarët kanë mundur t’i parashtrojnë pyetje të parës së vendit, ka qenë vetëm gjatë vizitave të homologëve të saj, kur pyetjet ishin të kufizuara e jo jashtë temës që palët kishin vendosur t’i flisnin.

Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur vetëm një konferencë, si e vetme në foltore, pas takimit që kishte pasur me përfaqësuesit e partive politike në kohën kur vendi po përgatitej për zgjedhjet lokale të 2021.

Komunikimi i Vjosa Osmanit me publikun dhe mediat shkoi përmes komunikatave për media e postimeve në rrjetet sociale.

Mos mbajtjen e konferencave në të cilat gazetarët mund të bëjnë pyetje, e ka kritikuar edhe Ligjëruesi i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli duke theksuar se një konferencë javore do të ishte ideale.

“Pa dyshim, znj. Osmani nuk është e para që përdorë këtë stil, megjithatë në kuptim të transparencës dhe bashkëpunimit me median, ky lloj komunikimi ka tendencë që institucionin e presidencës ta paraqes si jo-transparent dhe jo-bashkëpunues me median”, ka theksuar ai.

Në Facebook, mjaft aktiv gjatë këtij viti, ka qenë bashkëshorti i presidentes Osmani, Prindon Sadriu, i cili përveç se e shoqëroi presidenten në shumë aktivitet u përfshi edhe në skandalin për ‘qepimin e Vjosës’, duke i quajtur mediat ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’.

Më vonë, Prindron Sadiru, i cili është pjesë e komponetës rezervë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe diplomat, kërkoi falje ndaj mediave.

Për deklaratën e Sadriut, reaguan Federatat Evropiane e Gazetarëve si dhe euro deputetja Viola Von Cramon.

Osmani kishte deklaruar në RTK se deklarata e bashkëshortit të saj është nxjerrë nga konteksti.

“Sa i përket reagimit të Prindonit, ai e ka bërë një qartësim dje, i cili prapë ka dalë nga konteksti, për dy arsye. Ai e qartëson shumë mirë që në asnjë moment nuk i ka quajtur mediat ndërmarrje kriminale, mjafton ta lexojnë, nuk i ka quajtur mediat ndërmarrje kriminale. Me të vërtetë është absurditet të mveshni fjalë që nuk janë thënë”, kishte thënë presidentja Osmani në një intervistë dhënë RTK-së.

Ligjëruesi i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, ka thënë se presidentja Osmani që nga votimi në këtë pozitë nuk ka pasur më ndonjë komunikim inteziv me mediat.

“Ka zgjedhur kryesisht komunikimin njëdrejtimësh që t’i thotë në disa raste mesazhet e veta. Pra, ka përdorë qoftë rrjetet sociale, qoftë format e tjera të komunikimit protokollar, por nuk e kemi parë më që të vazhdojë të shpreh qëndrimet e veta në konferenca dhe të argumentoj mbi ato qëndrime”, ka thënë ai.

Zeneli, thotë që raportet e Presidentes Osmani me mediat janë lëkundur, përmes ndërhyrjeve të bashkëshortit të saj në disa raste.

“Në këtë një vjetor të zonjës Osmani në Zyrën e Presidencës, nuk ka se si të mos na kujtohen ndërhyrjet e herëpashershme të bashkëshortit të saj, z. Prindon Sadriu, i cili duke përdor profilet e tij në rrjete sociale, ka sulmuar mediat me një fjalë të ashpër, e pa asnjë argument”, ka theksuar ai.

Shoqërimi i zotriut të parë në aktivitet të presidentes brenda vetit po shihet si një shkelje e protokollit shtetëror, thotë Tomorr Avdija.

“Në takime dhe konferenca ka pasur përmbajtje etike dhe të pranueshme por, edhe në disa raste ajo është shoqëruar nga zotriu i parë e cila është një lloj gabimi, për shkak se në takimet brenda vendit, zotriu i parë nuk duhet ta shoqërojë presidenten, vetëm në ato që realizohen jashtë vendit”, ka thënë ai.

Sipas Avdijës, zotriu i parë Prindon Sadriu nuk ka të drejtë të përfshihet në asnjë polemikë për punën e presidentes Vjosa Osmani.

“Zotiru ose zonja e parë sipas protokollit nuk kanë të drejtë të përfshihen në polemika në punën e kreut të shtetit dhe në përfaqësimin e tyre, pasi ato kanë përfaqësim honorifik dhe jo deklarativ. Zotriu u parë duhet të kursehet nga polemikat sepse këto nuk i bëjnë mirë as zonjës Osmani e as atij”, ka theksuar ai.

Gjatë një mandati, me ftesë të homologëve të saj, presidentja Osmani zhvilloi dhjetëra vizita jashtë shtetit.

Osmani udhëtoi dhe pati takime me liderë të institucioneve në Turqi, Maltë, Katar, Kanada, Gjermani, Portugali, Japoni, Estoni e Austri.

Osmani udhëtoi edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nuk pati takime me presidentin apo zvendëspresidenten amerikane.

Ajo në Uashtington ishte në takim në Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Për tu takuar me liderë shtetërorë, drejtues të organizatave ndërkombëtare, presidentja Osmani shfrytëzoi edhe takimet e konferencave ndërkombëtare.

Presidentja Osmani përveç që shkoi në vizita, në ‘konakun’ e saj priti figura të ndryshme të shteteve të tjera.

Shumicën e takimeve, e para e shtetit i ka mbajtur të mbyllura për media, e vetëm me kumtesa.