36-vjetori i grevës së Minatorëve të Trepçës të vitit 1989

36-vjetori i grevave të minatorëve të Trepçës, kryesindikalisti thotë se mungojnë mjetet elementare për punë

Minatorët e Trepçës janë mbledhur për ta kujtuar grevën që u mbajt në vitin 1989, në mbrojtje të Kosovës nga politikat shtypëse të Serbisë.

Në këtë manifestim që u mbajt më 20.02.2025, mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili përmendi sukseset e ndërmarrjes, në veçanti atë se Trepça ka rikthyer nën menaxhim të gjitha pronat e saj.

Ndërsa në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, kërkoi kushtet elementare për minatorët.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të kësaj ndërmarrjeje, Faton Ahmeti, potencoi se për herë të parë pas luftës, siç thotë ai, është krijuar një bazë e të dhënave të detajuara për pronat e Trepçës duke mundësuar një administrim më efikas.

“Si rezultat, kemi kthyer në administrimin tonë të plotë mbi 1261 hektarë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së qëndrueshmërisë financiare” – tha Ahmeti, teksa përmendi edhe rritjen e të hyrave nga qiraja në gjashtëmujorin e fundit. “Kemi pasë një rritje mbi 55 për qind, duke reflektuar një menaxhim më efikas të aseteve, një përkushtim të vazhdueshëm”- tha Ahmeti.

Ndërsa shtimi i numrit të minatorëve, rritja e eksploatimit të xehes për 78 për qind, e rikthimi i pronave të Trepçës ishin të arriturat që përmendi kryeministri Kurti.

“Për herë ta parë pas shumë vitesh, prona të rëndësishme janë rikthyer në menaxhimin e duhur. Që nga ky muaj 2133 prona me 12.6 km katrorë sipërfaqe tokë janë kthyer në emër të Trepçës pasi që kanë qenë të shpërndara. E ardhmja e Trepçës nuk është vetëm në tokë, por është edhe në duart e atyre që e ndërtojnë çdo ditë”- tha ai.

Ministja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cilësoi vitin 2025 si vit të reformave për Trepçën.

“Për Trepçën, për vitin 2025 do të jetë vit i vazhdimit të reformave që do ta bëjnë Trepçën një ndërmarrje të qëndrueshme edhe në kuptim operacional edhe në kuptim financiar. Le ta bëjmë të qëndrueshme për një afat të gjatë e jo veç sot për nesër”- tha Rizvanolli.

Ndonëse u thanë sukseset që gëzoi Trepça e vizionet për vitin 2025, kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, tha se minatorëve të gjigandit metalurgjik u mungojnë kushtet elementare për punë.

“Të nderuar minatorë, jemi katandisur në gjendje aq të rëndë sa sot po vuajmë, gjënë më të shtrenjtë, oksigjenin, dorëzat, çizmet e helmetat. Nuk janë thjesht pajisje pune por mburojë që na mbajnë gjallë. Mungesa e tyre sot rrezikon jetët tona sepse kushtet elementare të sigurisë nuk po miratohen”- përfundoi ai.

 

36-vjetori i grevës së Minatorëve të Trepçës të vitit 1989