36 të vdekur nga rënia e autobusit në greminë në Indi
Së paku 36 pasagjerë kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë kanë pësuar lëndime pasi një autobus ka rënë në një greminë në shtetin verior të Indisë, Utarakahand, ka raportuar më 04.11.2024 transmetuesi britanik, BBC.
Zyrtarët kanë thënë se 44 pasagjerë ndodheshin në mjetin e transportit në momentin kur shoferi ka humbur kontrollonin dhe ka rënë në një greminë prej 50 metrash thellësi në Marchula, që shtrihet në krahinën Almora.
Qeveria qendrore menjëherë ka urdhëruar hetimin e incidentit.
Autobusët janë mjeti kryesor i transportit në këtë shtet në Himalaje, dhe aksidentet janë të shpeshta.
Autobusi ishte rrugës drejt krahinën Ramnagar kur ka ndodhur aksidenti në mëngjesin e së hënës sipas kohës lokale.
Fotografitë dhe xhirimet nga vendi i ngjarjes kanë treguar sesi kishte rënë mjeti transportues në këmbët e një kodre.
Shumë pasagjerë kanë vdekur në vendin e ngjarjes, derisa të lënduarit janë dërguar në spitalet në rrethinë. Ende po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave. Ai ka ndarë nga 2.400 dollarë për familjet e viktimave. Edhe shteti i Utarakhandit ka ndarë ndihma financiare për familjet e viktimave dhe për të mbijetuarit.
Operatorët në Indi shpesh nuk i respektojnë masat e sigurisë për mjetet e tyre të transportit, duke i stërmbushur me pasagjerë.
Çdo vit në Indi vdesin mesatarisht nga 160 mijë persona në aksidente trafiku – shifra më e lartë në shkallë botërore – kryesisht për shkak të shpejtësisë dhe ngasjes së shkujdesshme./BBC.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com