
Foto: Forca e Sigurisë së Kosovës/Facebook
354 rekrutë fillojnë trajnimin për t’u bërë ushtarë të FSK-së
354 rekrutë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë filluar trajnimin intensiv të Stërvitjes Ushtarake Bazë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj, për t’u bërë ushtarë të FSK-së.
Përmes një njoftimi, FSK bën të ditur se rekrutët do të trajnohen dhe përgatiten për t’u bërë ushtarë të FSK-së, ndërsa ushtrimet përfshijnë zhvillimin e aftësive fizike, njohuritë bazë ushtarake dhe disiplinën, për t’u përgatitur për sfidat e mëtejshme që i presin në karrierën e tyre ushtarake.
“Ky trajnim është një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit të të rinjve në Forcën e Sigurisë së Kosovës – duke ofruar njohuri dhe aftësi të nevojshme për t’u bërë ushtarë të aftë dhe të përkushtuar.” – thuhet në njoftimin e datës 27.01.2025.
Ndryshe kjo është faza e fundit e testimit, para se ata të bëhen pjesë e Ushtrisë – thekson FSK-ja.
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës. Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë ushtarake multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit – në pajtim me kompetencat e dhëna kushtetuese dhe ligjore.