35 vjeçari nga Mitrovica i shpallur në kërkim nga Gjermania arrestohet nga policia shqiptare

N.B, 35 vjeçar nga Vinarci është arrestuar nga Policia e Shtetit pasi që i njëjti ishte në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania.

Policia e Shtetit ka njoftuar se arrestimi i të dyshuarit u bë në Pikën Kufitare në Morinë, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, me qëllim të ekstradimit në Gjermani.

“Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar N. B., 35 vjeçar , nga fshati Vinarc në Kosovë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas njoftimit, gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar se është në kërkim  pasi që Gjykata e Dortmundit në Gjermani, ka lëshuar ndaj tij urdhër-arrestin ndërkombëtar, për veprën penale vjedhje.

“Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Kukës bënë arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957”, thuhet në njoftim.