COVID-19 Ilustrim: Naser Fejza

35 qytetarë të infektuar me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit

35 qytetarë kanë rezultuar të infektuar me SARS-CoV-2 gjatë 24 orëve të fundit në nivel vendi, nga 2 mijë e 193 testime të kryera nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ndërsa nuk është evidentuar asnjë i vdekur.

Numri i rasteve pozitive krahasuar me një ditë më parë është rritur, dje Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se 14 persona kanë rezultuar pozitiv përderisa sot janë shënuar 35 sosh.

MSh po ashtu ka njoftuar se nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes me COVID-19.

Aktualisht në Kosovë janë 1 mijë e 51 raste aktive me SARS-CoV-2, përderisa Prishtina mbetet komuna me më së shumti raste aktive, 224 të tillë.

“Sot janë shëruar 79 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 156 mijë e 412”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Në anën tjetër është duke vazhduar procesi i vaksinimit në nivel vendi.

Brenda 24 orëve MSh bën të ditur se janë dhënë 11 mijë e 291 doza të vaksinës kundër COVID-19, ndërsa nga fillimi i vaksinimit e deri më sot janë administruar 1 milion e 468 mijë e 152 doza të vaksinave.

Një person konsiderohet i vaksinuar në momentin që vaksinohet me dy doza të vaksinës anti-COVID, deri më tani në Kosovë janë të vaksinuar komplet 641 mijë e 772 qytetarë.

COVID-19 për herë të parë në Kosovë u shfaqë më 13 mars 2020, deri më tani të infektuar me SARs-CoV-2 në nivel vendi janë 160 mijë e 400 qytetarë prej tyre 2 mijë e 972 kanë vdekur.