Gjykimi lidhur me vrasjen e Tunë Bezhit FOTO-Tringa Rruka/KALLXO.com
34 vite burg për vrasjen në fshatin Marmull të Gjakovës
Babë e bir, Prek Gjugja dhe Alfred Gjugja u shpallën sot fajtorë lidhur me vrasjen e Tunë Bezhit në fshatin Marmull të Komunës së Gjakovës.
Alfred Gjugja po akuzohej për vrasjen e Tunë Bezhit, vrasjen në tentativë të Anton Nikollës dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa babai i tij Prek Gjugja po akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes.
Trupi gjykues i përbërë nga kryetari Mentor Bajraktari dhe anëtarë Besnik Bislimaj dhe Besarta Doli vendosi që të akuzuarit Alfred Gjugja vepra penale e vrasjes në tentativë, t’i rikualifikohet në veprën penale të lëndimit të rëndë trupor.
Alfred Gjugja për vrasje u dënua me 18 vite burg, për lëndim të rëndë trupor me 3 vite e 6 muaj dhe për armëmbajtje pa leje me 1 vit e 6 muaj.
Nga këto dënime, atij iu shqiptua dënimi unik me 22 vite burgim, duke ju llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 12 mars 2019.
Ndërsa, Prek Gjugja për veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes, u dënua me 12 vite burgim.
Kjo vrasje dyshohet të ketë ndodhur si shkak i një konflikti rreth një prone.
Alfred Gjugja i akuzuar për tre vepra penale kur kishte dalë para gjyqit nuk ishte deklaruar për akuzat që i vihen në barrë.
Këto veprime, i akuzuari Alfred Gjugja sipas Prokurorisë i kishte bërë në shtëpinë e Anton Nikollës, pasi që në shtëpinë e të njëjtit kishin shkuar për të biseduar rreth pronës, që në konflikt ishte familja Gjugja dhe Tunë Bezhi.
Babë e bir ishin ballafaquar edhe me dëshmitarë të këtij rasti.
Sipas aktakuzës, më 12 mars 2019, në fshatin Marmull të komunës së Gjakovës, afër shtëpisë së Anton Nikollës, i akuzuari Alfred Gjugja ka vrarë Tunë Bezhin.
Aktakuza shpjegon që pas një mosmarrëveshje pronësore që ka pasur i ndjeri Tunë Bezhi nga Martin Gjugja, vëllai i të akuzuarit Prek Gjugja, kishte blerë një parcelë toke, për të cilën tokë nuk ishte pajtuar familja e të akuzuarit.
Atë ditë në shtëpinë e Anton Nikollës, ishin mbledhur për të biseduar rreth çështjes së pronësisë, Tunë Bezhi, Zefë Kita, Lekë Bezhi dhe Prek Gjugja, mirëpo të njëjtit nuk kishin arritur marrëveshje- thuhet në aktakuzë.
Pas mospajtimit, i akuzuarit Prekë i kishte telefonuar djalit të tij Alfredit dhe i kishte treguar që nuk kishin arritë asnjë marrëveshje, e më pas i akuzuari Alfred kishte marrë pushkën automatike, me të cilën kishte gjuajtur 12 herë në drejtim të veturës së Tunë Bezhit.
Aktakuza thotë se më pas Tunë Bezhi për tu larguar nga i akuzuari Alfred, kishte dalë nga vetura por i akuzuari Alfred kishte gjuajtur në drejtim të viktimës, duke e goditur në abdomen në pjesën e poshtme, e duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Alfred Gjugja ka tentuar ta privojë nga jeta edhe të dëmtuarin Anton Nikolla, sepse i njëjti kishte tentuar ta parandalojë Alfredin, por kishte marrë një plumb në këmbën e majtë nga i akuzuari Alfred Gjugja si dhe ishte goditur me kodak të pushkës.
Aktakuza e Prokurorisë thotë se i akuzuari Alfred kishte ikur në drejtim të Rezinës dhe pas bisedës me Tunë Gojanin ishte kthyer në shtëpinë e tij dhe pastaj ishte dorëzuar në Polici.
Ndërsa i akuzuari tjetër, Prek Gjugja, akuzohet se me dashje ka ndihmuar djalin e tij Alfredin, për kryerjen e veprës penale të vrasjes.
Për Prek Gjugjën, aktakuza thotë se i njëjti të akuzuarit Alfred, i ka krijuar kushte për kryerjen e veprës, sepse i ka treguar për mos arritjen e marrëveshjes për çështjen pronësore.
Gjykata e Gjakovës në muajin mars 2019, pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë, kishte lënë Alfred Gjugjajn në paraburgim.