Kamenica

34 banorë të Kamenicës dalin negativ për coronavirus

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka bërë të ditur se 34 banorë të fshatit Topanicë, kanë dalur negativ në testin për virusin COVID-19.

 “Mbrëmë pas daljes së rezultateve për dy zyrtarë policor të cilët rezultuan të jenë negativ, në orën 01:30 kanë dalë rezultatet edhe për personat e tjerë të cilët u testuan. 12 punëtorë shëndetësor nga QKMF në Kamenicë si dhe 22 banorë të fshatit Topanicë të cilët u testuan, fatmirësisht rezultuan negativ për virusin SARS-CoV-2”, ka shkruar Kastrati në Facebook.

Sipas tij ky është një lajm i mirë, por nuk do të thotë që kujdesi duhet ndalur.

“Ky është edhe një lajm i mirë për të gjithë ne, mirëpo kjo nuk do të thotë se tani ne mund të jemi më të relaksuar, kujdesi duhet të vazhdoj njëjtë duke qëndruar në shtëpi pasi që kjo sëmundje është e panjohur dhe mund të prek secilin”, ka thënë më tej Kastrati.

Fshati Topanicë tashmë është futur në karantinë për shkak të disa rasteve të shënuar në këtë fshat.

Deri më tani në Kosovë janë shënuar gjithsej 135 persona me COVID-19, 16 persona janë shëruar dhe një ka vdekur.