337 ushtarë të rinj i bashkohen FSK-së

Rreshtave të Forcës së Sigurisë  së Kosovës i janë bashkuar 337 ushtarë të rinj, pas mbarimit me sukses të trajnimit themelor në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes.

Kështu ka bërë të ditur, kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Sot në rreshtin e paqes të Ushtrisë së Kosovës, kanë hyrë 337 ushtarë të rinj, pas mbarimit me sukses të trajnimit themelor në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes. Kosova ka ushtrinë më të re sipas modelit të NATO-s, të përkushtuar për sigurinë në vend, stabilitetin në rajon dhe të gatshme për operacione paqeruajtëse kudo në botë, kurdo që kërkohet nga aleatët tanë strategjik, ShBA dhe strukturat e paktit Veri-Atlantik. Ushtarët e Kosovës gjithmonë me nder në shërbim të paqes, për të sotmen dhe të ardhmen e sigurt”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social ‘Facebook’.