33 të testuarit nga Miradia e Ulët rezultojnë negativ me COVID-19

Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha ka bërë të ditur se nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ka konfirmuar se 33 personat e testuar të fshatit Miradi e Ulët, që i përkisnin rrethit familjar të tre të infektuarve me COVID 19, kanë dalur negativ.

Sipas tij, gjendja e të prekurve është shumë e mirë dhe ata janë në përkujdesje të vazhdueshme.

“Me këtë rast, duam të falënderojmë familjarët e të prekurve dhe qytetarët e fshatit Miradi e Ulët për mirëkuptimin, bashkëpunimin dhe maturin e treguar gjatë këtyre ditëve. Gjithashtu falënderojmë edhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, të cilët pas reagimit publik që kemi pasur, kanë vendosur një bashkëpunim ndërinstitucional shumë korrekt dhe profesional. Shpresojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen si mënyra më e mirë e menaxhimit të kësaj situate, duke u vënë në shërbim të vazhdueshëm të secilit qytetar që ka nevojë për çfarëdo ndihme”, thuhet në komunikatën për media.

Deri më tani numri me të prekur me koronavirus në Kosovë janë 125. Prej tyre 10 janë shëruar dhe 1 ka vdekur.