Policia e Kosovës, Radar. Foto: KALLXO.com

32% e stacioneve të policisë nuk përdorin as edhe një radar

13 nga 41 stacionet e Policisë së Kosovës, që i bie 32% nga të gjitha stacionet, nuk kanë vënë në funksion as edhe një radar.

Kështu është thënë në raportin e Inspektoratit Policor i Kosovës për inspektimit për “Pajisjet policore në funksion të aktiviteteve operative – administrative”.

Sipas IPK-së, stacionet policore kanë qenë të pajisur me 74 matës së shpejtësisë të lëvizjeve të automjeteve, pra radar, por që 38 prej tyre kanë qenë jofunksional, të dëmtuar apo të pa kalibruar.

IPK ka thënë se stacionet në Kosovë janë të ngarkuara me mesatarisht me 1.8 radarë, por që në funksion kanë 0.9 radar.

Gjatë inspektimit të IPK-së është vërejtur se nga 41 stacionet ku kanë qenë prezent inspektuesit nga IPK, 13 stacione nuk kanë pasur në funksion asnjë radar, 22 kanë pasur në funksion vetëm një radar, katër stacione kanë pasur dy radarë dhe dy stacione kanë pasur në funksion tre radarë.

IPK ka treguar se shtatë stacionet e Drejtorisë Rajonale të Gjilanit kanë nën funksion tetë radarë, pesë stacione të rajonit të Ferizajt kanë vetëm dy radarë, nëntë stacionet e Prishtinës kanë gjashtë radarë, pesë stacione të Prizrenit kanë nëntë radarë, tre stacionet e Gjakovës kanë tre radar, pesë stacione të Pejës i kanë pesë radar, tre stacione të Mitrovicës së Jugut kanë dy radar, dhe katër stacionet e Mitrovicës së Veriut kanë vetëm një radar.

Kapacitetet funksionale (radarët aktiv) të stacioneve policore të pasqyruar sipas drejtorive rajonale/Screenshot: IPK

KALLXO.com ka raportuar edhe për vjetërsia e flotës së automjeteve të Policisë së Kosovës, e cila është rreth 11 vite.

Sipas IPK-së, gjendja më e rënduar e vjetërsisë së automjeteve është në Drejtorin Rajonale në Mitrovicë të Veriut dhe në Mitrovicë të Jugut, ku mosha mesatare e veturave kalon mbi mesataren e përgjithshme.

Veturat në Mitrovicën e Veriut janë të vjetra rreth 13 vite ndërsa në atë të Jugut rreth 10 vite.

Stacionet e Policisë në Zubin Potok, në Zveçan dhe në Vushtrri, sipas IPK-së kanë veturat më të vjetra. Mosha mesatare e këtyre veturave në këto tri stacione policore kap edhe 15 vite.

Sa i përket stacioneve policore në rajonet tjera, vjetërsia e veturave sillet nga 6 deri në 8.

Drejtoria rajonale në Prizren dhe në Gjilan kanë vetura të vjetra me mesatare 6 vite, ato në Ferizaj, Prishtinë, Gjakovë me mesatare prej 7 viteve, ndërsa Peja me mesatare 8 vite.

KALLXO.com ka raportuar se ka raste kur në disa stacione të Policisë së Kosovës, një automjet ndahet për 22 punonjës.

Ndërsa, në një mesatare të nxjerrë nga IPK, në të gjithë rajonet, del se një veturë e Policisë ndahet për mesatarisht nëntë zyrtar policor.

Sipas IPK-së, marrë parasysh madhësinë e flotës së automjeteve, gjithsej 1 mijë e 15, në raport me numrin e personelit, gjithsej 9 mijë e 5, një automjet është i ndarë mesatarisht për nëntë punonjës.

Ndërsa bazuar në shpërndarjen aktuale, një automjet është i ndarë për 13 punonjës stacionesh.

IPK ka thënë se në një gjendje më të rënduar se kaq janë Drejtorit Rajonale të Policisë në Gjilan, Mitrovicën e Veriut dhe në Mitrovicën e Jugut.

Në diagramin e publikuar nga IPK, në rajonin e Gjilanit një veturë shërben për 16 punonjës, ndërsa në atë të Mitrovicës së Veriut dhe atë të Jugut, një veturë ndahet për 15 punonjës.

Mirëpo, nga prizmi i shpërndarjes së automjeteve, IPK ka thënë se 17 stacione të këtyre drejtorive kanë gjendje më të rënduar, pasi bazuar në numrin e punonjësve në raport me ngarkesën e automjeteve një veturë është në funksion të 14 deri në 22 punonjës.

Tutje, IPK ka thënë se në 24 stacione tjera policore gjendja është më e mirë, pasi bazuar në ngarkesën që kanë këto stacione, një automjet është në funksion të 7 deri në 13 punonjësve.