Paratë e konfiskuara nga arrestimet e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Foto: KALLXO.com

31 vjet burgim efektiv, 6 dënime me kusht dhe dënime me gjobë për grupin e akuzuar në rastin "Subvencionet 1"

Njëmbëdhjetë (11) të akuzuar në rastin “Subvencionet 1” janë dënuar nga Gjykata Themelore për “marrje e dhënie ryshfeti”, “mashtrim me subvencione” e vepra të ngjashme penale.

Të akuzuarit për këtë rast, të dënuar në Shkallë të Parë, janë: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Salih Statovci, Kushtrim Zogaj, Musa Nivokazi, Lulzim Hajdari, Almir Abdurrahmani, Florim Nimonaj dhe Afrim Abazi.

Luan Statovci për veprën penale “marrje e dhënie ryshfeti në vazhdim dhe në bashkëkryerje” është dënuar me 8 vjet “dënim me burgim” dhe 50 mijë euro “dënim me gjobë”.

Ndërsa i akuzuari, Sadat Shkodra për të njëjtën vepër penale është dënuar me 6 vjet “dënim me burgim” dhe 20 mijë euro “dënim me gjobë”.

“Dënim plotësues” Luan Statovcit dhe Sadat Shkodrës. Secilit veç e veç u është shqiptuar “ndalimi i ushtrimit të funksionit në Administratë Publike në kohëzgjatje prej 10 vjetëve.

I akuzuari Berat Nika është dënuar me 6 vjet “dënim me burgim” dhe “dënim me gjobë”, në shumën prej 20 mijë euro.

Tutje i akuzuari Kushtrim Zogaj për veprën penale “marrja e ryshfetit” është dënuar me 3 vjet “dënim me burgim” dhe 5 mijë euro “dënim me gjobë”.

I akuzuari Hasan Maxharraj për “mashtrim me subvencione” është dënuar me 3 vjet “dënim me burgim”.

Për “mashtrim në detyrë” janë dënuar Musa Nivokazi dhe Lulzim Hajdaraj me 2 vjet “dënim me burgim (me kusht)” – dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse në periudhë prej 3 vjetësh nuk kryhet vepër tjetër penale. Kurse “dënimi me gjobë” i është shqiptuar secilit veç e veç, në vlerë prej 10 mijë euro.

Kurse Salih Statovci për “ndihmë në vazhdim të marrjes së ryshfetit” është dënuar me 5 vjet “dënim me burgim” dhe 25 mijë euro “dënim me gjobë”.

Almir Abdurrahmani për “falsifikim të dokumenteve” është dënuar me “dënim me gjobë”, në shumën prej 25 mijë eurosh.

I akuzuari Florim Nimonaj për “dhënie ryshfeti” është dënuar me 1 vjet “dënim me burgim me kusht” – nëse nuk kryen vepër penale në periudhë të verifikimit, në kohëzgjatje prej 2 vjetësh. Ndërsa, i është shqiptuar “dënim me gjobë” në shumë prej 3 mijë eurosh.

Të pandehurve: Kushtrim Zogaj, Berat Nika, Musa Nivokazi dhe Lulzim Hajdarit i është ndalur ushtrimi i funksionit në Administratë Publike, në kohëzgjatje prej 5 vjetësh.

Ndërsa, Jeton Sylaj dhe Hasan Maxharraj janë liruar nga akuza, secili veç e veç për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, me arsyen se nuk është provuar se është  kryer kjo vepër penale.

Kurse i akuzuari, Salih Statovci për “mashtrim në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi” është liruar nga akuza, pasi nuk është provuar se është kryer kjo vepër penale.

Shpallja e Aktgjykimit është marrë nga gjyqtari Kujtim Krasniqi.

Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë?

Përmes Aktakuzës, Prokuroria pretendon se ka zbuluar afera të shumta korruptive, me subvencione në të cilat ishin të përfshirë zyrtarë të shumtë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Sipas këtij organi, skema e korrupsionit ishte ndërtuar në atë formë që aplikuesit të cilët hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së udhëzoheshin që të aplikonin për mbjelljen e bimëve mjekësore aromatike, nga ku më pas vlera e subvencionit të fituar ndahej mes tyre në përqindje të ndryshme, të cilat shkonin deri në 70% për zyrtarët e AZHB-së.

Skema e përshkruar në Aktakuzë tregon se aplikuesve që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së u siguroheshin në mënyrë të kundërligjshme certifikatat për bujqësi organike, të cilat ishin si parakusht i përfitimit të subvencionit.

Aktakuza përshkruan se Luan Statovci, drejtor i pagesave në AZHB, qasej në lëndët e aplikuesve dhe fotografonte dokumentacionet e tyre e të cilat më pas i dërgonte përmes telefonit te vëllai i tij, Salih Statovci. Ky i fundit këto fotografi – sipas Prokurorisë – i dërgonte tek A. A., i cili në cilësinë e drejtorit të “Bio-Q-Check” lëshonte në mënyrë të kundërligjshme certifikata për bujqësi organike, pa pasur ndonjë kontroll paraprak.

E gjithë kjo procedurë, sipas organit ndjekës, ndodhte pasi aplikuesit hynin në marrëveshje dhe bindeshin që t’i ndryshonin Aplikacionet për Subvencionimin e Kulturave të Tjera në Aplikacionet për Subvencionimin e Mbjelljes së Bimëve Mjekësore.

Në këtë mënyrë ata akuzohen se u kanë mundësuar aplikuesve përfitim të kundërligjshëm dhe kanë dëmtuar mbi gjysmëmilion euro buxhetin e vendit.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, të pandehurit: Jeton Sylaj, Luan Statovci dhe Hasan Maxharraj ngarkohen me veprën penale “keqpërdorim i autoritetit zyrtar”, kurse mbi Maxharrajn rëndon edhe akuza për “mashtrim me subvencione”.

Mbi të pandehurin Luan Statovci rëndojnë edhe akuzat për “marrje ryshfeti në bashkëkryerje me Sadat Shkodrën”, kurse Florim Nimonaj ngarkohet me veprën penale “dhënie ryshfeti”.

Për veprën “falsifikim i dokumenteve” ngarkohen të pandehurit Almir Abdurramani dhe Salih Statovci.

Raportimet e KALLXO.com, lidhur me rastet e njohura si “Subvencionet”, mund t’i lexoni duke klikuar këtu.