301 raste të dhunës në familje të trajtuara gjatë vitit 2021 nga Prokuroria e Prizrenit

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka njoftuar se në 2021 ka trajtuar 301 raste të dhunës në familje.

Përmes një komunikate për media ata kanë njoftuar se rastet e dhunës në familje janë në numër më të madh në dallim me vitin paraprak.

“Të gjithë pjesëmarrësit në takim theksuan se gjatë vitit 2021 ka pasur rritje të rasteve të dhunës në familje, në krahasim me vitin 2020”, është thënë në komunikatë.

Sipas prokurores Mehreme Hoxha, deri më 30 nëntor të këtij viti në 301 lëndët e raportuara janë të përfshirë gjithsej 357 persona, duke përfshirë edhe lëndët e trashëguara nga viti paraprak.

“Në Departamentin e Përgjithshëm janë pranuar 282 kallëzime penale me 317 persona, në Departamentin për të Mitur, janë pranuar 4 kallëzime me 4 persona, ndërsa, në Departamentin e Krimeve të Rënda janë pranuar 5 kallëzime penale me 7 persona”, ka thënë Hoxha.

Ky takim është thirrur dhe organizuar nga prokurorja dhe koordinatorja për rastet e dhunës në familje, Mehreme Hoxha dhe është mbështetur nga OSBE, ku të pranishëm ishin përfaqësues nga Policia e Kosovës për Regjionin e Prizrenit, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, Qendra e Shëndetit Mendor, mbrojtës të viktimave, përfaqësues nga Zyra për Ndihmë Juridike Falas si dhe përfaqësues nga Njësia për të Drejtat e Njeriut në Regjionin e Prizrenit.