300 mijë euro qarkullim bankar, arrestohet mësuesja nga Peja nën dyshimin se mashtroi bujqit
17.9.2024 - 14:07
Një mësuese nga Peja është arrestuar nën dyshimin se ka mashtruar disa bujq nga ky rajon.
Siç mëson KALLXO.com, ajo dyshohet se mashtronte bujqit lidhur me çështjen e subvencioneve, teksa e njëjta në xhirollogarinë e saj në bankë kishte qarkullim prej 300 mijë eurove.
Për këtë rast është kontaktuar edhe Prokuroria Themelore e Pejës.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi tha për KALLXO.com se personi në fjalë është arrestuar nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “Mashtrimi”.
Nikçi tha se me urdhër të prokurorit e dyshuara është ndaluar për 48 orë dhe ndaj saj Prokuroria e Pejës javë më parë ka ngritur aktakuzë për veprën penale “Mashtrimi”.