30 vjet karrierë, 'Troja' përmbyll kapitullin e saj

Rok grupi “Troja” i cili njihet me tekstet revoltuese ndaj politikës dhe problemeve shoqërore sot përmes një postimi në Facebook ka njoftuar për mbylljen e karrierës 30 vjeçare

“I erdh fundi edhe këtij muhabeti… TROJA ka një kohë që nuk ka qenë aktive në skenë edhe pse ka pasur tendenca të paraqitjes me formacione të ndryshme”, shkruan grupi.

Sipas njoftimit muret e Trojës janë përçarë përkundër që politika është munduar të identifikohet me tekstet e tyre, ata asnjëherë nuk kanë kënduar në “ahengjet” e organizuara nga ata.

Në tubimin publik që u thirr nga Lëvizja Vetvendosje të premten e kaluar në sheshin kryesor të Prishtinës për të shënuar 15 vjetorin e partisë dhe 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës, grupi Troja performoi për herë të fundit.

Sipas tyre rok grupi Troja i ka mbijetuar shumë sistemeve që nga para lufta po edhe nga pas lufta dhe se asnjëherë nuk kanë qenë pronë private e dikujt.

Ndër të tjerash grupi ka shënuar se, kultura nuk kultivohet, nuk blihet me para, dhe nuk vidhet dhe se disa do të këndojnë dhe kanë me u paraqitë si “Troja” po ajo është vjedhje e mundit, identitetit dhe ideologjisë të cilin grupi e ka paraqitur me dekada.

“Çdo aktivitet që mbahet në emër të grupit TROJA që më parë nuk është lajmëruar në faqen zyrtare të saj, është keqpërdorim dhe abuzim i emrit të grupit dhe vlerave artistike të saj, të kultivuara me vite. Faleminderit të gjithëve që na keni dashtë, shajtë dhe përkrahë, na keni urrejtë, na keni dëgju, por edhe atyre që na ka kanë dëgju fshehurazi”, thuhet në postim.

“Troja” ishte themeluar në vitin 1991 dhe janë autorë të shumë këngëve revolotuese si: “Demokracia”, “Mbretnesha Kohë”, “A e man n’men”, “Vendi im”, etj.