Muzeu i Kosoves,Prishtine. 21 Maj 2015. Photo:Atdhe Mulla.

30 muze të Kosovës në proces të invertarizimit të artefakteve

Zbatimi i rregullores për procesin e inventarizimit të trashëgimisë kulturore ka nisur me hulumtimin e 30 muzeve të nivelit qendror dhe lokal nё tё gjithё territorin e Kosovës.

Ndërsa rreth 16 muze mbeten të patrajtuar, e të cilat pritet t’i nënshtrohen hulumtimit nё njё fazё tjetёr me qёllim identifikimin e nevojave dhe prioriteteve qё paraqesin.

Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për KALLXO.com, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në hapa më të shpejtë procesi ka vazhduar në Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe Muzeun Etnologjik- Kompleksin Emin Gjiku.

MKRS bën të ditur që në hulumtim janë të përfshirë edhe muze të cilët janë themeluar pas viteve 2000 dhe kanë koleksione në një numër më vogël, por që paraqesin vlera të trashëgimisë së luajtshme kulturore dhe shpirtërore të regjionit, qytetit apo komunës që prezantojnë.

“Muzetë qё kanë tё inventarizuar koleksionin apo janë në proces të dokumentimit dhe një pjesë të koleksionit e kanë të regjistruar janё: Muzeu Kombёtar i Kosovёs me njësitë e saj, Kompleksi i Lidhjes Shqiptare tё Prizrenit, Muzeu Arkeologjik i Regjionit tё Prizrenit, Muzeu Arkeologjik nё Kala tё Prizrenit, Muzeu Shtetëror i Mineraleve dhe Kristaleve “Trepҫa” Stan tёrg- Mitrovicё, Kulla e Isa Boletinit, Muzeu i qytetit tё Mitrovicёs, Muzeu i Pejёs, Muzeu Etnologjik i Gjakovёs, Muzeu i Ferizajit etj”- thuhet në përgjigjen e ministrisë më 27 janar 2023.

Sipas Ministrisë së Kulturës artefaktet e Muzeut Kombëtar po trajtohen me prioritet në kuadër të projektit kapital për renovimin e depos së Muzeut.

“Për të pas një pasqyrë të qartë të objekteve të trashëgimisë së luajtshme kulturore që posedon Muzeu Kombëtar i Kosovës, është parë e nevojshme që së pari të realizojmë një vlerësim të gjendjes së dokumentacionit ekzistues, prandaj ky proces ka filluar me evidentimin e numrit të përgjithshëm të koleksionit muzeor, së pari me dokumentimin e materialeve, librave, kartelave të artefakteve të gjithë Koleksionit të MKK-së që përbëhet prej koleksionit arkeologjik, etnologjik, historik dhe natyrës”- bën të ditur MKRS.

Bazuar në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës, vlerësimi i dokumentacionit ekzistues ka filluar që një vit e gjysmë, ndërsa po vazhdon ende.

“Ky proces ka filluar që nga mesi i vitit të kaluar, ku në fillim është realizuar një vlerësim paraprak profesional nga punonjësit e muzeut në qasjen e Muzeut Kombëtar të Kosovës rreth krijimit të bazës së procesit të punës dhe evaluimit të nevojave më urgjente”- thuhet nga MKK.

MKRS pohon se ka evidentuar një numër të dokumentacionit për artefaktet që ruhen në muze, prej të cilave 8 libra (5 hyrës dhe 3 të inventarit) që dokumentojnë një numër të artefakteve rreth 6,000 objekte të trashëgimisë së luajtshme të regjistruara, ndërsa 2,887 kartela inventari të koleksionit etnologjik.

Po ashtu sipas ministrisë, dokumenti dixhital i artefakteve të koleksionit arkeologjik është realizuar edhe kohë më parë, ku ka një numër të artefakteve të regjistruara, dokumenteve, hartave, planeve deri në 10000, ndërsa po dokumentohen/dixhitalizohen koleksioni i monedhave Municipium D.D.

Një raport i vlerësimit dhe evidentimit të eksponateve arkeologjike të ekspozuara në ekspozitën Bazë “Dardania Antike” nga epoka e neolitit, eneolitit/ bakrit, bronzit, dhe epoka e hekurit arrin shifrën prej 321 eksponateve.

Në vonesën e këtij procesi ka ndikuar numri i madh i artefakteve por edhe ri-identifikimi i dokumentacionit për të konfirmuar saktësisht ato, vlerësimi i të cilave bëhet sipas disa kritereve të plotësimit të vlerave historike.

Disa prej kritereve janë: vjetërsia e lokaliteteve të trashëgimisë kulturore, ndërlidhjen me personalitete apo ngjarje të rëndësishme historike, raritetin dhe veçantitë, cilësitë teknogjike ose  potencialin e rëndësisë në aspekt arkivor/ dokumentar.

“Për shkak të numrit të madh të artefakteve që ka në dispozicion Muzeu Kombëtar i Kosovës, dhe gjithmonë në kuadër të trajtimit të Depo-së është konsideruar që së pari të trajtohen koleksionet që për bazë kanë përbërje organike, për shkak të ndjeshmërisë që bartin objektet me përbërje nga tekstili, druri, lëkura, ashti, letra etj. Pjesë e procesit të realizimit të renovimit të Depo-së është edhe ri-identifikimi i dokumentacionit përkatës të artefakteve nga të gjitha koleksionet që Muzeu Kombëtar i Kosovës posedon që të konfirmohet saktësia e numrit të objekteve të luajtshme kulturore”- thuhet në përgjigjen e MKK-së.

Sipas MKRS-së prej hulumtimit deri më tani ёshtё njё numёr rreth 35,000 artefakteve qё janё tё regjistruara duke përfshirë këtu metodat e vjetra të inventarizimit por edhe aplikimin e formularit të inventarizimit sipas rregullores nr. 11/2021 për inventarizim dhe procesin e përzgjedhjes së trashëgimisë kulturore për mbrojtje.

Procesi i dokumentimit, inventarizimit të artefakteve është proces që aplikohet që nga themelimi i muzeve dhe ushtrohet për sa kohë një muze është funksional, që nënkupton muzetë aktiv që pranojnë, objekte me vlera muzeale këtë funksion e ushtrojnë varësisht nga koha kur i pranojnë.