Bimët narkotike të mbjella në një laborator në Mitrovicën veriore

30 mijë euro dorëzani për Sinisa Nedeljkoviq lidhur me rastin e laboratorëve të drogës në veri të vendit

Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masën prej 30 mijë euro dorëzani, Sinisa Nedeljkoviq i cili po dyshohet për veprën penale të prodhimit, përpunimit të paautorizuar të narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

“Gjykata, vlerësoi se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e dorëzanisë ngase ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S. N. ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet dhe se janë plotësuar edhe kushtet dhe arsyet e kërkuara me ligj për caktimin e dorëzanisë”- thuhet në vendimin e Gjykatës së Prishtinës.

Ky vendim i Gjykatës së Prishtinës vjen pas kërkesës për masën e dorëzanisë të propozuar nga Prokuroria e Speciale.

Sipas njoftimit të Gjykatës, nënës i pandehuri arratiset parat e dorëzuara për dorëzani do të derdhen në fondin për kompensimin e viktimave, dhe do të aplikohet masa e paraburgimit.

23.05.2022 KALLXO.com kishte raportuar se 6 milionë euro është vlera e drogës së sekuestruar dhe 1.5 milionë euro është vlera e pajisjeve të shkatërruara nga laboratori i drogës në Izvor, në afërsi të kufirit me Serbinë.

Kështu kishte bërë të ditur, ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, i cili kishte publikuar një fotografi në të cilën shihej duke u bërë shkatërrimi i bimëve narkotike.

“Pas shkatërrimit të laboratorit në veri të vendit, Izvor, vlera e drogës së konfiskuar e cila tashmë po shkatërrohet ka rezultuar në vlerë 6 milionë euro ndërsa vlera e pajisjeve 1.5 milionë euro”, ka shkruar Sveçla

 

Nga një aksion i Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës në vendin Izvor është zbuluar një laborator i kultivimit të marihuanës, në të cilin janë gjetur mbi 10 mijë fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg.