30 familje nga komuna e Kamenicës hapin dyert për të pritur familje nga Shqipëria

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, përmes një publikimi në Facebook ka njoftuar se nga banorët e kësaj komune kanë mbledhur ndihma monetare si dhe gjësende të nevojshme materiale.

Kastrati ka shkruar po ashtu se transporti për dërgesën e këtyre gjërave për në Shqipëri është siguruar nga bizneset e këtij qyteti.

E rreth 30 familje, sipas Kastratit, kanë hapur dyert për të strehuar familje në nevojë nga Shqipëria.

“Jemi nisur për Shqipëri për t’i dërguar ndihmat e grumbulluara. Mobilizim i jashtëzakonshëm i qytetarëve e bizneseve të Kamenicës. Për më pak se 24 orë janë grumbulluar 5,180 euro, 180 franga dhe 20 dollarë. Përpos ndihmave monetare, janë ofruar edhe ato materiale duke përfshirë batanije, ushqime e rroba. Transporti është mundësuar po nga bizneset e disa prej tyre janë nisur më herët. Gjithashtu, janë lajmëruar më shumë se 30 familje që kanë hapur dyert për familjet në nevojë. Mirënjohës ndaj gjithë atyre që kanë ndihmuar në çdo formë. Kamenica është me ju”, ka shkruar Kastrati.

KALLXO.com ka krijuar platformën ‘Kallxo për Shqipërinë’ në përpjekje për ta kanalizuar solidaritetin e kosovarëve të treguar që nga orët e para pas tërmetit shkatërrimtar të mëngjesit të 26 nëntorit në Shqipëri, në rrethinën e Durrësit dhe Thumanës, i cili la rreth 30 persona të vdekur, qindra të lënduar dhe mijëra të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Me anë të kësaj platforme, KALLXO.com synon krijimin e një qendre online përmes të cilës individët, grupet dhe organizatat që dëshirojnë t’u dalin në ndihmë atyre që kanë nevojë në Shqipëri në këto ditë të vështira, të kenë mundësi të ndihmojnë.