Gjykata në Prizren

30 ditë paraburgim të pandehurit që dyshohet se goditi viktimën dhe i kaloi sipër me veturë

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje 30 ditë, ndaj të pandehurit G.H., pasi i njëjti më 1 dhjetor dyshohet se kishte goditur dhe më pas i kishte kaluar sipër me veturë të dëmtuarin M.Gj.

“Më datë 1 dhjetor, në orët e mbrëmjes në Prizren duke drejtuar automjetin, nga pakujdesia […], i pandehuri [..] e godet të dëmtuarin M.Gj., duke e hedhur në një distancë dhe gjatë ndaljes së automjetit i kalon sipër të dëmtuarit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Sipas të njëjtit njoftim, i dëmtuari ka pësuar lëndime të rënda trupore duke ia rrezikuar seriozisht jetën.

“Gjykata ka vlerësuar se me qëndrimin në liri i pandehuri mund të fshihet apo të jepet në arrati me qëllim të shmangies nga organet e ndjekjes dhe përgjegjësia penale”, është thënë tutje.

Po ashtu është njoftuar se burgimi do të llogaritet prej kohës së arrestimit 1 dhjetor 2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 1 janar 2022.