30 ditë paraburgim të dyshuarve që planifikonin sulm terrorist në KFOR

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G.Sh. për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës’,

“Ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës., thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Në njoftim thuhet se të pandehurve G.Sh. dhe E.H. iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç.

“Gjykata ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar se me datën 02.06.2018, i pandehuri G.Sh. me dashje direkte i ka bërë thirrje të pandehurës E.H., në drejtim të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke udhëzuar që të bëjnë sulm vetëvrasës me materie eksplozive me automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, në Kosovë dhe vende tjera të frekuentuara me qytetarë e duke planifikuar edhe furnizimin me armë të zjarrta dhe materieve eksplozive me qëllim të kryerjes së aktit terrorist, poashtu i pandehuri G.Sh. dyshohet se gjatë muajit maj deri më datë 02.06.2018, me dashje direkte ka planifikuar përgatitjen e akteve terroriste në Belgjikë dhe në Francë meqë është edhe shtetas belg, duke planifikuar sulm vetëvrasës në vende të frekuentuara me qytetarë e që edhe me implementimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit përkatësisht monitorimin e bisedave në vende publike dhe private nga ana e Policisë së Kosovës, në Prishtinë, i njëjti është arrestuar me dt.05.06.2018” thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës.

Më tej njoftimi i gjykatës bënë të ditur se e pandehura E.H gjatë muajit maj deri më datë 02.06.2018 e tutje, në bashkëveprim me të pandehurin G.Sh., është përfshirë në veprime inkriminuese të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke planifikuar të bëj sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj forcave të KFOR-it në Kosovë, si dhe vendeve tjera të frekuentuara me qytetarë e duke u furnizuar me armë të zjarrtë dhe materie plasëse me qëllim të kryerjes së aktit terrorist.

“Gjykata ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve G.SH dhe E.H si dhe ka marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete për ta siguruar praninë e të pandehurve dhe pas analizimit të tyre, ka konstatuar se masa e paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për zhvillimin e pa penguar të procedurës dhe sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë penale, bazuar në nenet 187 par.1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, përfundon njoftimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës.