30 ditë paraburgim të dyshuarit për kontrabandim të cigareve pa banderolë

Të pandehurit G.S., i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi ë Gjykata Themelore në Prizren, ka vlerësuar që ekzistojnë arsyet ligjore për këtë vendim.

I pandehuri ka kryer veprat penale; tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave të akcizës, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Prizrenit.

Më 20 korrik të 2021-tës, i pandehuri G.S., dyshohet se në afërsi të Prizrenit arriti që nëpërmjet rrugëve ilegale të sigurojë dhe tregtoj mall të kontrabanduar, ndërsa gjatë kontrollit nga Njësiti i Doganës Anti – Kontrabandë tek ai u gjetën cigare të kontrabanduara, pa banderolë me sasi prej 65 pakove.

Në të njëjtën kohë dhe datë, i pandehuri dyshohet se për mallrat e importuara ilegalisht, ka bërë shmangie nga tarifat e detyrueshme doganore në vlerë prej 39,907.40 eurove, thuhet në njoftim.

“Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit për të pandehurin është mëse i domosdoshëm, duke pasur parasysh peshën e veprave penale dhe rrezikun e përsëritjes së tyre pasi i pandehuri nuk është hera e parë që bie ndesh me ligjin, pikërisht për të njëjtën vepër penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.