Gjykata e Ferizajt - Foto: GjThF

30 ditë paraburgim të dyshuarit për aksidentin me fatalitet

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E. H.

E. H., dyshohet se ka kryer veprën penale Rrezikimi i trafikut publik sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, njofton Gjykata ne Ferizaj.

Tutje thuhet se paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedures.

“Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e prokurorisë së shtetit, po ashtu janë përmbushur kushtet  për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, ku në rastin konkret është humbur një jetë njeriu dhe familjarët e të ndjerit mund të jenë në gjendje emocionale dhe nga kjo shtohet nevoja për ruajtjen e rendit publik, ku hyn edhe rreziku që i kanoset të pandehurit duke pasur parasysh se ka qenë një aksident me fatalitet”, thuhet tutje në njoftimin e Gjykates.