Gjykata Themelore në Prizren

30 ditë paraburgim për të dyshuarin që sulmoi me thikë policin dhe rrahu kunatën

Gjykata e Prizrenit ka caktuar një masë prej 30 ditësh paraburgim ndaj të pandehurit, i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht kunatën, apo bashkëshorten e vëllait.

B.K., dyshohet që më 10 janar të këtij viti ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e vëllait të tij, në orët e mëngjesit në Suharekë, saktësisht në shtëpinë e tij familjare, me dashje ka shtruar dhunë ose keqtrajtimin fizik dhe psikologjik apo emocional ndaj të dëmtuarës respektivisht bashkëshortes së vëllait të tij.

Kjo ka ndodhur pas disa mosmarrëveshjeve paraprake pasi që më parë i pandehuri e kishte keqtrajtuar fizikisht të dëmtuarën duke e goditur me grushte, njoftoi Gjykata e Prizrenit.

Tutje është thënë se dhe në momentin kur e dëmtuara ka qenë në shtëpi i pandehuri e ka larguar nga shtëpia.

Gjithmonë sipas njoftimit të Gjykatës, i pandehuri me këto veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe shqetësimit të madh.

I pandehuri B.K në të njëjtën ditë ka sulmuar me thikë në kokë edhe një polic, i cili kishte shkuar të merret me rastin.

Sipa Gjykatës së Prizrenit, kur zyrtarët policorë kanë shkuar në vendngjarje për t’u marrë me rastin, janë takuar me të pandehurin B.K., i cili nuk ka qenë bashkëpunues me zyrtarët policor.

Në një moment i pandehuri nga xhepi ka nxjerrë një mjet të rrezikshëm – thikë dhe me të njëjtën e ka sulmuar fizikisht zyrtarin policor M.G., të cilit i ka shkaktuar edhe lëndime trupore në pjesën e kokës, ka njoftuar Gjykata.

Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 10 janar 2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 10 shkurt 2022.