Foto-ilustrim

30 ditë paraburgim për të dyshuarin për vrasjen në tentativë të kryer në Podujevë

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masë paraburgimi për të B.H., i dyshuar për dy vepra penale.

B.H. ishte arrestuar gjatë një operacioni policor në Podujevë ndërsa nga Policia ishte cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë.

Sipas komunikatës së Gjykatës, i pandehuri B.H. dyshohet se me datë 06.10.2020, rreth orës 18:35 në rrugën “19 Qershori” në Podujevë, derisa ka qenë duke e drejtuar veturën e tij, e kishte penguar në shiritin qarkullues të dëmtuarin F.S., me ç ‘rast i pandehuri B.H. kishte dalë nga vetura me armë në dorë, duke iu afruar veturës së të dëmtuarit F.S. dhe e kishte kërcënuar, ndërsa i dëmtuari H.G. duke kaluar atypari kishte ndërhyrë për ta larguar të pandehurin në këtë rast dhe në atë moment i pandehuri B.H. ia kishte drejtuar armën të dëmtuarit dhe kishte gjuajtur tre herë në të dëmtuarin, më ç ‘rast i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Sipas Gjykatës, Departamenti për Krime të Rënda, B.H. ka kryer veprat penale – vrasje në tentativë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas Gjykatës masa e paraburgimit në afat prej 30 ditësh i është caktuar të pandehurit për shkak se ekziston rreziku i ikjes së tij duke marrë parasysh se ai përveç që ka ikur nga vendi i ngjarjes në datën kur ka ndodhur rasti, i njëjti nuk i është përgjigjur asnjëherë ftesave të policisë dhe vazhdimisht përkundër përpjekjeve të policisë, ai ka qëndruar në arrati, deri kur është arrestuar nga ana e policisë më datë 16.04.2021, andaj po të lihej në liri ekziston rreziku se do të ikte dhe do të pengonte zhvillimin e procedurës penale.

Në komunikatën e gjykatës thuhet se kundër këtij aktvendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, por ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e aktvendimit.

Njësia Speciale arreston një person të cilësuar i rrezikshmërisë së lartë në Podujevë

Plagoset një person pas të shtënave me armë në Podujevë