30 ditë paraburgim për të arrestuarit për kontrabandimin e 700 shtetasve të huaj

16 të arrestuarit për kontrabandimin e shtetasve të huaj do të qëndrojnë për 30 ditë në paraburgim. Kështu vendosi gjyqtari i procedurës paraprake pasi analizoi kërkesën e Prokurorisë së Prizrenit për paraburgosjen e të arrestuarve.

Sipas vendimit të gjykatës, paraburgimi është masa e vetme e cila siguron mbarëvajtjen dhe praninë e të dyshuarve në procedurën penale.

Pas pranimit të kërkesës së paraburgimit, avokati i njërit prej të dyshuarve (Sh.K.), Nasuf Hasani tha për KALLXO.com se vendimin e konsiderojnë të pabazuar.

“Vendimin si të tillë e konsiderojmë si të pa bazuar, duke qenë se gjykata fare nuk i ka marrë parasysh pretendimet e mbrojtjes. Besojmë se Gjykata e Apelit do t’i marrë parasysh vërejtjet tona që do t’i paraqesim në ankesë, ngase për momentin masa e paraqitjes në stacionin policor është mëse adekuate, sepse për mbrojtjen, si e tillë kërkesa e Prokurorisë nuk ka asnjë bazë të artikuluar për t’u caktuar masa e paraburgimit”, tha ai.

Mbi 700 të huaj dyshohet se u kontrabanduan përmes kufirit Shqipëri, Kosovë, Serbi nga një grup i qytetarëve për 5 muaj rresht.

Dosja të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se që nga muaji mars i këtij viti e deri më datën 30 korrik 2022, 16 personat e dyshuar kanë bashkëpunuar në kontrabandimin e të huajve nga Kosova për në Serbi.

Sipas dyshimeve të para të Prokurorisë, në krye të këtij grupi qëndronte një shtetas i huaj nga Bahreini me inicialet M.F.A.

Në dokumentet e siguruara nga KALLXO.com, përshkruhet se të huajt të cilët hynin në territorin e Kosovës nga kufiri i Shqipërisë, fillimisht ndaloheshin në qytetin e Prizrenit, prej ku më pas përmes transporteve private dhe me autobusë niseshin për në kryeqytet, ku priteshin nga të dyshuarit e tjerë të cilët ishin pjesë e këtij grupi, tashmë të arrestuar.

Dosja tregon se nga Prishtina shtetasit e huaj përmes linjës së rregullt të udhëtarëve niseshin për në komunën e Mitrovicës, ku priteshin nga të dyshuarit e tjerë të këtij grupi.

Nga Mitrovica, ata dyshohet se përmes auto-taksive private arrinin deri në pikën kufitare në Jarinë, nga ku më pas në mënyrë ilegale duke lëvizur në këmbë e kalonin kufirin Kosovë-Serbi.

Në lidhje me këto dyshime, deri më tani nën prangat e policisë kanë përfunduar  16 persona.

Ndaj tyre Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të rrezikut të pengimit të drejtësisë dhe mundësisë së arratisjes jashtë vendit.

 

Dosja e Prokurorisë: Kjo është skema që dyshohet se u përdor për kontrabandimin e 700 të huajve