30 ditë paraburgim për Rafet Ibishin dhe të tjerët për dhunën në Trepçë

Gjykata e Mitrovicës ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj Rafet Ibishit, ish U.D kryeshefit të Trepçës dhe katër të tjerëve, të cilët u arrestuan dy ditë me parë për incidentin në ndërmarrjen Trepça në Mitrovicë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati i Ibishit, Mahmut Halimi.

“Para pak qesteve gjykata ka caktuar 30 ditë paraburgim për secilin nga 5 personat qe janë të dyshuar në këtë rast. Është rast që nuk ka ndodhur me herët ne gjykatat tona, klienti im dyshohet për veprën penale të sulmit ku parashihet burgim deri në një vit dhe ju ka caktua paraburgim një muaj”, tha avokati Halimi.

Halimi, gjithashtu ka paralajmëruar se do parashtrojë ankesë në afatin e paraparë ligjor ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Ibishi, së bashku me të dyshuarit B. S., B. I., Sh. R., dhe Z. I., u përfshinë në një incident brenda hapësirave të objektit të Ndërmarrjes Publike “Trepça”. Ai, së bashku me katër punonjës të “Trepçës” dyshohet se sulmuan fizikisht u.d. kryeshefin e ri të kësaj ndërmarrjeje, Enis Abdurrahmani dhe drejtorin e Administratës, Besim Haxhiu.

KALLXO.com mbrëmë ka transmetuar emision e titulluar “Skandalet e rrahjeve dhe korrupsioni”, i cili pasqyroi prapaskenat e dy dite me parë me video dhe audioincizime për dhunën e ushtruar në ndërmarrjen Trepça.