Gjykata në Prizren | Foto: KALLXO.com

Prizren: Fëmijët e shohin babain tek e grushton nënën

Të dyshuarit për dhunë në familje A.H, i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh. Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se ndaj të dyshuarit kanë vlerësuar se ekzistojnë arsye ligjore si dhe ka prova të mjaftueshme për caktimin e kësaj mase, thuhet në komunikatën për media lëshuar nga Gjykata e Prizrenit.

I njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike në bashkëshorten e tij si pasojë e disa mosmarrëveshjeve paraprake dhe pasi e ka kërcënuar verbalisht më pas e ka rrëzuar viktimën për toke duke e goditur me grushte në pjesën e kokës dhe qafës, që si rrjedhojë kjo e fundit ka pësuar lëndime trupore.

“I pandehuri, me dashje kryen dhunën dhe keqtrajtimin fizik e psikologjik ndaj të dëmtuarve – vajzave të tij, ashtu që të njëjtat shohin babanë e tyre duke ushtruar dhunë fizike ndaj nënës, të dëmtuarat fillojnë të qajnë dhe në ato momente i pandehuri i sulmon të njëjtat duke i goditur me shuplaka fytyrës, me ç’rast tek të dëmtuarat shkakton frikë, stres psikologjik, ankth dhe pasiguri”, njofton Gjykata.

Gjykata ka marrë parasysh natyrën dhe rrethanat e veprës penale për të cilat dyshohet A.H dhe ka konstatuar se në rast që i njëjti qëndron në liri, mund të pengojë rrjedhën e procedurës penale.

“Caktimi i paraburgimit për të pandehurin është mëse i domosdoshëm, duke pasur parasysh peshën e veprave penale, sjellja e të pandehurit dhe këmbëngulësia që me çdo kusht ta përfundoj veprën e filluar, shfaqin rrezikun se me lënien në liri të të pandehurit i njëjti mund të përsërisë veprën penale”, raporton gjykatësi i rastit.