Gjykata vendos ndaj personit që dyshohet se dhunoi vajzën e vëllait të tij në Istog

Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit që dyshohet se dhunoi mbesën e tij në Istog.

Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi ka thënë për KALLXO.com se ndaj të pandehurit është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

“Seanca e procedurës paraprake është mbajtur dje. Gjyqtari ka aprovuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit që të pandehurit t’i caktohet masa e paraburgimit ne kohëzgjatje prej 30 ditësh”- ka thënë Nikçi.

Personi që dyshohet se e dhunoi vajzën e vëllait të tij, dje u tha se pas ndalimit për 48-orë aktualisht gjendet nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës, në Spitalin e Pejës.

Sipas Policisë së Kosovës, ai gjendej në spital për shkak të një operimi të mëhershëm.

Policia në raportin 24-orësh kishte theksuar se vajza 15-vjeçare, në shtator të vitit 2021, ka njoftuar policinë se është dhunuar nga i dyshuari.

“Viktima ka pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe psikiatrik, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe nga ana e prokurorit i është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh”- u tha në raport.

Raportimi i të miturës kishte ndodhur më 24 tetor 2022, rreth orës 13:30, në stacionin policor në Istog.

I arrestuari në Istog dyshohet se e kishte dhunuar vajzën e vëllait të tij