Ilustrim

Paraburgim prej 30 ditësh për 9 të dyshuarit për ryshfet me subvecione, 2 në arrest shtëpiak

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve, ndaj 9 personave të dyshuar për ryshfet me subvencione në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural, nërsa dy prej tyre, Shpejtim Krasniqi dhe Kastriote Bajrami – Sejdiu kanë marrë masën e arrestit shtëpiak.

Prokuroria e Prishtinës ditën e djeshme ka kërkuar masën e paraburgimit për 11 personat e arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje e dhënie ryshfeti.

Prokuroria po pretendon se të dyshuarit Sadat Shkodra, Luan Statovci, Salih Statovci, Hasan Maxharraj, Berat Nika, Kushtrim Zogaj, Adushe Ukshini, Driton Alaj, Pajtim Krasniqi, Shpejtim Krasniqi dhe Kastriote Bajrami – Sejdiu, duke vepruar në kundërshtim me detyrën zyrtare kanë kërkuar apo kanë pranuar ryshfet nga persona të ndryshëm, kryesisht nga fermerët, në mënyrë që të njëjtit t’i fusin në listat e përfituesve të subvencioneve.

Seanca e cila është mbajtur sot, për caktimin e kërkesës së Prokurorisë, ka qenë e mbyllur për media.

Rreth 433 mijë e 160 euro, 600 dollarë, 200 franga zvicërrane, 275 lira turke, 15 telefona, 8 vetura, një kompjuter, pesë armë, një USB dhe një vulë janë konfiskuar gjatë bastisjeve që kanë ndodhur nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Dhjetë nga të arrestuarit, janë edhe zyrtarë institucional.

Prokuroria ka njoftuar se nga 12 të arrestuarit sa kanë qenë dje, njëri nga ta vetëm është shoqëruar në polici e më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Prokuroria po ashtu ka njoftuar se për cilat vepra saktë po dyshohen të arrestuarit.

KALLXO.com ka raportuar për një mori bastisjesh të cilat janë realizuar në disa qytete të Kosovës ku cak ishin institucione të caktuara që lidhen me keqpërdorimin e disa subvencioneve brenda Ministrisë së Bujqësisë.

Kurse dy çanta me para janë gjetur te shtëpitë e dy prej të arrestuarëve. Njëra çantë është gjetur brenda tualetit të një banese ndërsa një çantë tjetër është gjetur në oborr të një shtëpie, dhe e cila dyshohet se u hodh nga familjarët e të dyshuarit.

Gjyqtari i procedurës paraprake Naser Foniqi ka vlerësuar se kjo masa e sigurisë është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale.

Në komunikatën e Gjykatës thuhet se ekziston rreziku se po të gjendeshin në liri, të njëjtit mund të ikin apo arratisen për t’i ikur përgjegjësisë penale në këtë fazë të procedurës.

Tutje thuhet se të pandehurit nëse do të jenë në liri mund t’i asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo falsifikojnë provat e veprës penale duke ndikuar tek dëshmitarët aktual dhe ata të mundshëm të prokurorisë.

“Po ashtu duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, tregon rrezik se nëse të pandehurit do të gjenden në liri mund të përsërisin veprën penale si dhe të njëjtit do të ndikonin në hetimin i cili është duke vazhduar”, thuhet në komunikatë.