3 vjet burg për të akuzuarin që vodhi para, cigare, raki e suxhuk në një market në Pejë

Një burrë është dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me tri vite burg për veprën penale ‘vjedhje e rëndë’.

Sipas vendimit, i njëjti akuzohet se ka vjedhur në një market në Pejë, afërsisht 1 mijë euro, cigare të llojeve të ndryshme, raki dhe suxhuk në vlerë prej 450 euro.

Në vendim thuhet se i njëjti ka hyrë në market përmes shtëpisë të pronares së marketit duke depërtuar fillimisht nga terasa, duke kaluar në ballkon, pastaj nga brenda shtëpisë ka hyrë në market.

“I pandehuri shkon në terasen e katit të tretë të shtëpisë së të dëmtuarës ku prej aty depërton duke hequr pengesat edhe atë duke hapur pa dëmtime derën e ballkonit në shtëpinë e të dëmtuarës e pastaj pasi depërton brenda në shtëpi, shkon te marketi i të njëjtës, ku merr të holla në vlerë prej afërsisht 1000 euro, kryesisht metalike dhe kartëmonedha, të vendosura në kacën e marketit dhe në disa gota të plastikes e po ashtu vjedh cigare të llojeve të ndryshme, raki dhe suxhuk në vlerë prej 450 euro”- thuhet në vendimin e datës 20 dhjetor 2022.

Tutje thuhet se të tëra lëvizjet dhe veprimet e të pandehurit janë regjistruar nga kamerat e sigurisë së lokalit.

Për këtë vepër penale, të akuzuarit XH. T. i është shqiptuar dënim më burgim prej 3 vjet, ku i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 29 shtator 2022 e deri më datë 07 dhejtor 2022.

Po ashtu, i njëjti është dënuar edhe me 500 euro gjobë.

“Obligohet i pandehuri ti kompensojë dëmin të dëmtuarës A. B. në shumën prej 1430 euro, brenda afatit prej 3 muaj nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit nën kërcënim të përmbarimit me dhunë”- thuhet tutje në aktgjykim.

Gjatë shqyrtimit fillestar i pandehuri e ka pranuar fajësinë, ka shprehur pendimin dhe keqardhjen për veprën e kryer dhe ka premtuar se në të ardhmen nuk do të përsëris vepra tjera penale.

Në vendim thuhet se ai ka deklaruar se është i gatshëm të bëjë kompensimin e dëmit ndaj palës së dëmtuar, duke shtuar që kërkon që pala e dëmtuar të i’a bënë hallall.