3 të vdekur nga COVID-19 në Mitrovicë të Veriut e Leposaviq

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se sot kanë vdekur tre persona nga coronavirusi në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.

Sipas të dhënave të publikuara disa minuta më parë, sot 37 persona kanë rezultuar pozitiv me coronavirus kurse 21 janë shëruar.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 353 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Rastet pozitive janë raste kontakti, nëntë raste me vendbanim në Lipjan, tetë raste me vendbanim në Pejë, gjashtë raste me vendbanim në Prishtinë, pesë raste me vendbanim në Skorobishtë-Prizren, katër raste nga Komuna e Podujevës, sipas vendbanimit dy  raste Podujevë dhe dy raste Pollatë, dy raste nga komuna e Zubin Potokut dhe nga një rast vendbanimet: Pjetërshticë-Shtime, Stubëll-Viti dhe Zveçan.

Nga data 08 shkurt deri më 20 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 5.009 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej pesëqind e nëntëdhjetë e tetë (598) raste, ndërsa gjithsej (15) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 6351 kontakte të rasteve.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 20 prill 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 2.467.524 raste të COVID-19 dhe 169.398 raste të vdekjes.