Personi iArrestuar Ilustrim

3 të arrestuar për shkatërrimin e ulëseve në stadiumin “Air Albania”

Disa tifozë kanë shkatërruar stolat e stadiumit “Air Albania” gjatë ndeshjes Partizani-Bylysi, që u zhvillua dje dhe ndeshjes Tirana-Kukësi, që është zhvilluar të premten.

Lidhur me këto incidente, policia shqiptare ka prangosur 3 persona, ka shpallur në kërkim 9 të tjerë si dhe 6 procedohen penalisht.

Pas veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga ana e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë, për ngjarjet e ndodhura, është bërë i mundur zbulimi, kapja dhe arrestimi në kushtet e flagrancës, për veprat penale – veprime të dhunshme në aktivitetet sportive dhe -shkatërrimi i pronës, i shtetasve: G.M., 39 vjeç, K.B., 26 vjeç, tifozë të skuadrës së Bylysit, si dhe L.G., 35 vjeç, tifoz i skuadrës së Tiranës.

Gjithashtu u shpallën në kërkim 9 tifozë të skuadrës së Tiranës dhe konkretisht shtetasit: E.M., J.S., A.T., M.H., M.B., A.S., E.S., G.M. dhe F.Sh.

Po në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe 6 tifozë të Tiranës konkretisht shtetasit: J.K., A.Ll., E.Z., T.A., A.R. dhe D.T.

Nga tërësia e veprimeve proceduarale të kryera nga ana e Policisë ka rezultuar se këta shtetas kanë kryer veprime të dhunshme gjatë zhvillimit të ndeshjeve duke dëmtuar stolat dhe hedhur sende të forta në fushën e futbollit “Air Albania”, Tiranë.