3 muaj pasi u punësimi në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, avancohet në detyrë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur parregullsi në avancim të të stafit dhe pagesave në Këshillin e Kosovës për Trashëgiminë Kulturore.

Sipas ZKA-së, KKTK-ja në mënyrë të jashtëligjshme avancoi zyrtarin e personalit me vetëm 3 muaj punë provuese në pozitën e ushtruesit të detyrës.

Ndërsa rregullorja e brendshme për punë provuese brenda KKTK thotë se kandidati i suksesshëm që i kalon procedurat e rekrutimit duhet t’i nënshtrohet punës provuese për 12 muaj.

Ndërsa, auditori ka gjetur se një person është avancuar në detyrë pas vetëm 3 muaj angazhim në KKTK.

“Ne kemi vërejtur që KKTK, zyrtarin e personelit i cili ishte në periudhën provuese të punës, pas tre muajve e kishte caktuar ushtrues detyre (UD) në një pozitë më të lartë nga koeficienti 7 në koeficientin 9, edhe pse ishte në periudhë provuese”, thuhet në raportin e ZKA.

Po ashtu auditori ka gjetur se gjatë vitit 2020, KKTK-ja ka dhënë paradhënie në kundërshtim me ligjin e buxhetit.

“Gjatë auditimit ne kemi vërejtur që KKTK kishte paguar komplet vlerën e kontratës për katër muaj për kursin e gjuhës angleze në vlerë 580€, ndërsa vlera mujore ishte 145€. Kontrata ishte nënshkruar me datën 15.10.2020 ndërsa pagesa ishte kryer me datën 23.10.2020”, thuhet në mes tjerash në raport.

Gjithashtu ZKA-ja ka konstatuar se ka pasur mangësi edhe sa i përket regjistrimit të pasurive.

“Gjatë testimit të pasurive nën 1,000 €, kemi vërejtur që pasuria nuk ishte regjistruar në regjistrin e pasurive i cili ishte i prezantuar apo shpalosur në PFV e vitit 2020. Pasuritë të cilat nuk ishin regjistruar janë: Dy ‘samsung cover for tablet With keyboard for S4’ në vlerë prej 240 €; dhe firgoriferi Hugo në vlerë 99.90 €, i blerë nga petty cash”, thuhet në raportin e ZKA-së për KKTK-në.

KKTK-ja që nga viti i 2018 është pa bord drejtues.