29 zyrtarë marrin paga pa dalë asnjë ditë në punë

Bazuar në marrëveshjen së Brukselit, dhe shuarjes së ashtuquajturës “mbrojtje civile” në veri të vendit, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim të punësojë persona nga komuniteti serb.

Në 2018-ën, ata u paguan nga Ministria e Mjedisit mbi 126 mijë euro pa punuar fare thotë Auditori i Përgjithshëm në raportin e auditimit të vitit 2018 për këtë ministri.

Auditori thotë se ministri kishte punësuar 38 zyrtarë bazuar në marrëveshjen e Brukselit, për shuarjen e të ashtuquajturës “mbrojtja civile” e cila ka vepruar në komunat veriore të vendit.

“Bazuar në ketë, në MMPH pas një procesi të rekrutimit, me akt emërime ishin integruar 38 nëpunës të komunitetit serb, ish pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”. Këta punonjës ishin planifikuar të sistemohen nëpër komuna në pjesën veriore të Kosovës. Megjithatë, në akt emërimet e tyre, të punësuarve u është caktuar vetëm pozita, e jo edhe vendi i punës”, thuhet në raportin e auditorit.

Auditori gjen se pjesa dërmuese nuk kishin punuar fare, por pagat u paguan për ta.

“Ne kemi vërejtur se për 29 nga 38 zyrtarët e lartcekur, ministria nuk ka dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës, siç i obligon rregullorja nr. 05/2010 e orarit të punës, përderisa ministria kishte bërë pagesën e rregullt të pagave të tyre. Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2018 për këta 29 zyrtarë ishte 126,242 Euro”, thotë Auditori.

Pagesat e pagave pa u angazhuar fare në punë, Auditori i vlerëson si pagesa të pa rregullta që e dëmtojnë buxhetin e vendit.

Ministri të këtij dikasteri iu rekomandua se duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm ashtu siç parashihet me aktet ligjore. Në të kundërtën, këtë problem ta diskutoj edhe në Qeveri, duke qenë se ky problem është i përhapur edhe në ministritë tjera.