29 vjet nga organizimi i mësimit në shtëpitë - shkolla, akti vlerësohet si një veprimtari e lartë civilizuese

Me suprimimin e dhunshëm të autonomisë, Serbia në fillim të 1990-ta filloi edhe rrënimi e arsimit shqip në Kosovë.

Pas instalimit të masave të dhunshme, më 28 qershor 1991 nëpër institucione publike, ndërmarrje, institucione kulturore e arsimore, pushteti serbe largoi nga objektet mësimore nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët shqiptarë.

Si kundër përgjigje ndaj kësaj në fillim të viti 1992 filloi arsimi shqip në Kosovë edhe në nivelin e mesëm dhe më pas edhe në atë të lartë.

Mësimi u organizua në objekte private, shtëpi – shkolla, objekt afariste, bodrume e garazhe private dhe shkolla fetare.

Sot 29 vjet më pas, disa prej protagonistëve të kohës kujtojnë për Kallxo.com punën që u bë atë kohë për të mbajtur gjallë për gati një dekadë arsimin shqip në Kosovë.

Halim Hyseni, që hartoi strategjinë për organizimin e mësimit atë kohë, ka kujtuar për Kallxo.com se vendimi për të filluar mësimin në ato kushte, ishte vendim i rëndësishëm i arsimtarëve shqiptar atë kohë, pavarësisht pasojave.

“Ishte rast unik në botë që një sistem i tërë të organizohet në shtëpi – shkolla jo institucionale në rrethana të jashtëzakonshme. Mendoj se historia jonë do ta vlerësojë këtë veprimtari si më civilizuesja që ka mund të ndodhë në zhvillimin e civilizimit shoqëror”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij, falë këmbënguljes dhe vendosmërisë së arsimtarëve, por edhe qytetarëve të cilët ofruan shtëpitë e tyre për shkolla, u arrit të ruhet arsimi shqip.

Hyseni ka thënë se në atë periudhë janë arritur rezultatet të larta.

“Ne keni sot mjekët që atë kohë kanë kryer shkollimin e mesëm në shkolla – shtëpi, ekspertë të shquar të dalë nga ai shkollim. Pa modesti po them, që sot Kosova do të ishte më fat sikurse ta kishte moralin dhe suksesin që arsimi e ka pasur atë kohë”, ka thënë Hyseni.

Por, kjo u arrit falë mbështetjes që dhanë qytetarët për të mbajtur gjallë arsimin.

Fadil Aliu nga Prishtina kujton vendimin që mori familja e tij, e njohur edhe si Familja Hertica e Kodrës së Trimave në Prishtinë, për të lëshuar shtëpinë e banimit për shkollë.

Aliu ka treguar se gatishmërisë së babait të tij, Mehmetit për ta lëshuar shtëpinë e re për shkollë, iu bashkuan edhe vëllezërit dhe kushërinjtë tjerë.

Për këtë veprim kryefamiljari i familjes Aliu, shumë herë ishte arrestuar dhe maltretuar nga policia serbe.

Në shtëpitë e lagjes së Herticëve nga fillimi i 1992 nisën të funksionojë dy shkollat më të mëdha të mesme të Prishtinë, Shkolla Ekonomike, “Hoxhë Kadri Prishtina” dhe Gjimnazi “Sami Frashëri”.

“Në familjen tonë u bënë shtatë objekt-shtëpi që u shfrytëzuan për dy shkollat e Prishtinës”, ka thënë Aliu.

Sot njëra pre atyre shtëpive i është falë shtetit të Kosovës dhe është shpallur shtëpi muze për të kujtuar organizimin e arsimin në vitet ’90-ta.

Shumica dërrmuese e shtëpive të shndërruara në shkolla, gjatë kohës së luftës në Kosovë, janë djegur. Pos kësaj edhe gjatë kohës sa nxënësit mbanin mësimin në to, ato ishin cak i sulmeve dhe bastisjeve të shpeshta nga ish regjimi i Serbisë.

 

Organizimi i mësimit në shtëpi shkolla pati edhe sfidat e veta.

Dukagjin Pupovci, ekspert i arsimit ka thënë për Kallxo.com se organizimi i mësimit në shtëpitë shkolla nga 1992-ta ishte e vetmja alternativë për mbajtjen gjallë të arsimit shqip.

Pupovci ka thënë se çrregullimi që u shkaktua nga largimi (dëbimi me dhunë) i nxënësve dhe mësimdhënësve shqiptar ka ndikuar edhe në cilësinë e arsimit.

Ai ka thënë se në shumë raste orët e mësimit dhe semestrat në fakulteti ishin të shkurtuara.

“Nuk kanë ekzistuar ato kushtet për konkretizimin e mësimit të cilat normalisht ekzistojnë në shkolla. Atë kohë ne shpesh herë jemi përballur edhe me probleme serioze logjistike dhe siç është mungesa e ngrohjes, mungesa e transportit akomodimit për studentë dhe kur kësaj i shtohet edhe shuma dhe represioni që e ka ushtruar në vazhdimësi pushteti serb, patjetër se gjithë kjo ka ndikuar në cilësinë e arsimit në të gjitha nivelet”, ka thënë Dukagjin Pupovci.