Foto: KEK

Kryhen testet për coronavirus te 29 punëtorë të KEK-ut

29 punëtorë të KEK-ut që janë testuar para dy ditësh për COVID-19, kanë dalur negativ.

Kështu ka bërë të ditur KEK përmes një njoftimi për media, duke thënë se kanë pranuar rezultatet nga IKShPK.

“Ju njoftojmë se pas testeve të bëra për COVID 19 me dt: 08.06.2020, KEK ka pranuar rezultatet nga IKSHPK-ja dhe fatmirësisht të gjithë kolegët tanë kanë rezultuar negative. Pavarësisht këtij rezultati, rreziku nga përhapja e kësaj pandemie ende nuk ka kaluar”, thuhet në njoftim.

Tutje, KEK  ka thënë se vazhdon te jetë në kontakt të vazhdueshëm me 9 punëtorët që janë me COVID-19 dhe janë duke e përcjellur gjendjen e tyre shëndetësore, që sipas tyre, deri më tani gjendja e tyre është stabile.

“KEK gjithashtu është duke vazhduar me gjurmimin e të gjithë punëtorëve që dyshohet të kenë pasur kontakte me personat e infektuar duke i udhëzuar që paraprakisht të vetë izolohen duke shmangur kontaktet me familjarët dhe kolegët”, thekson njoftimi.

Më tej, KEK ka bërë apel tek të gjithë punëtorët që të jenë vigjilent kudo që ndodhen në respektimin e rekomandimeve të IKSHKP-së, duke mbajtur distancën sociale dhe gjithashtu përdorimin e pajisjeve të nevojshme higjienike.

Deri tani, në Kosovë janë shënuar 1269 persona me COVID-19, 912 të shëruar dhe 31 viktima.