28 mijë gra aplikojnë për 30 vende pune si shofere treni në Arabinë Saudite

Një kompani hekurudhore që është duke rekrutuar 30 shofere treni në Arabinë Saudite thotë se ka marrë 28 mijë aplikime.

Kandidatet e suksesshme do të ngasin trenat me shpejtësi të lartë ndërmjet qyteteve të shenjta të Mekës dhe Medinës pas një viti trajnimi, raporton BBC.

Është hera e parë që role të tilla reklamohen për gratë në mbretërinë konservatore myslimane.

Për dekada, Arabia Saudite kishte një nga përqindjet më të ulëta të pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore në botë.

Por në vitet e fundit qeveria ka bërë përpjekje për të rritur numrin e grave në punë si pjesë e planit të princit të kurorës Mohammed bin Salman për të diversifikuar ekonominë e varur nga nafta.

Ajo ka nxitur gjithashtu një sërë reformash sociale, duke përfshirë dhënies fund të ndalimit të vozitjes së grave dhe lehtësimin e ligjeve të kujdestarisë mashkullore për t’i lejuar gratë të udhëtojnë lirshëm.

Si rezultat i këtyre ndryshimeve, pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore pothuajse është dyfishuar gjatë pesë viteve të fundit në 33%, dhe më shumë gra se burra kanë hyrë në fuqinë punëtore në gjysmën e parë të vitit të kaluar.