Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

27-vjeçarit të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares i janë vjetërsuar tre akuza

27-vjeçari nga Prishtina, i arrestuar së fundi mbi dyshimet për dhunimin seksual të vajzës 11-vjeçare, ka shpëtuar në tre raste, ku kishte aktakuzë, pa u gjykuar fare.

Kjo pasi Gjykata e Prishtinës i kishte refuzuar tre nga disa akuzat ndaj tij, për shkak të vjetërsimit të veprës penale.

Vjetërsimi nënkupton pamundësinë e institucioneve që ta ndjekin penalisht një person nëse një gjë të tillë nuk bëhet brenda afateve ligjore. Pothuajse çdo vepër penale ka një afat të caktuar brenda të cilës duhet të ndiqet dhe gjykohet, në të kundërtën personi lirohet edhe nëse ka kryer vepër penale.

Në rastin konkret, në tre çështje të ndryshme penale, Gjykata nuk ka arritur që ta gjykojë brenda afatit të paraparë ligjor të akuzuarin E.K.

Vendimi i parë i cili e “fali” pa e gjykuar të akuzuarin E.K. është nxjerrë në vitin 2019, kur Gjykata e Prishtinës e pushoj procedurën penale ndaj tij si rezultat i vjetërsimit.

Njëjtë kishte ndodhur edhe në vitin 2020 dhe 2022, kur ishin vjetërsuar edhe dy vepra të tjera penale dhe atë dy akuza për vjedhje.

Vendimet gjyqësore për pushimin e procedurave ndaj tij si rezultat i parashkrimit i ka konfirmuar Gjykata e Prishtinës.

Ndërkaq për dy vepra të tjera penale E.K. është shpallur fajtor.

Në vitin 2019, ai ishte dënuar me 1 vit burgim dhe 400 euro gjobë për vjedhje të pyllit, ndërsa në vitin 2020 është dënuar me kusht për dhunë në familje.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin për veprën penale Dhuna në Familje dhe është dënuar me dënim burgimi me kusht në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Prishtinës për KALLXO.com

Dënimi me kusht për dhunë në familje u shqiptua, ndonëse i njëjti ishte dënuar paraprakisht me 1 vit burgim për vjedhje të pyllit.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës se i arrestuari për dhunimin e të miturës akuzohej për 9 vepra penale.

E.K. po mbahet në paraburgim mbi dyshimin se ka dhunuar seksualisht 11-vjeçaren në Prishtinë.

Ngjarja e rëndë pretendohet se ka ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur.

Sipas dosjes së prokurorisë, ajo fillimisht ishte ndaluar e më pas ishte dhunuar seksualisht nga disa persona.

Të tre personat ishin afruar tek e mitura dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.

Të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park e më pas përderisa njëri nga ta po ia mbante duart dhe gojën tjetri po e dhunonte seksualisht.

Në dosje përshkruhet se pasi e mitura ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.

Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari.

Për rastin deri më tani janë arrestuar pesë persona që dyshohet se janë të përfshirë në dhunim.

Deri më tani ndaj katër prej tyre është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi të këtij rasti.

27-vjeçari i dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares, ka 9 aktakuza për raste të ndryshme