27-vjeçari i dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares, ka 9 aktakuza për raste të ndryshme

27-vjeçari, njëri nga të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares, ka aktakuza për 9 raste të ndryshme penale.

Këto aktakuza i ka për dhunë në familje, vjedhje e rëndë dhe vjedhje pylli.

Kjo është konfirmuar për KALLXO.com nga zëdhënësja e Prokurorisë se Prishtinës, Laureta Ulaj.

Ulaj tha se për këto raste prokurori i shtetit ka ngritur aktakuza dhe këto raste janë proceduar në gjykatë për procedim të mëtutjeshëm.

Katër nga pesë të dyshuarit janë arrestuar, tre prej të cilëve janë të mitur.

Në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se vajza 11-vjeçare derisa ishte duke ecur në një park në Prishtinë, fillimisht ishte ndaluar e më pas ishte dhunuar seksualisht nga disa persona.

Ngjarja e rëndë pretendohet se ka ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur.

Të tre personat ishin afruar tek e mitura dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.

Dosja e organit ndjekës të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.

Sipas përshkrimit të prokurorisë dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.

Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.

Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari.

Dy të dyshuarve për këtë rast i është caktuar paraburgimi, ndërsa dy të tjerë kanë dalë para gjykatës, ndërsa po pritet vendimi i gjykatës.