260 raste aktive me Covid-19 në Kosovë, 13 të shtrirë në Infektivë

260 qytetarë janë aktualisht të infektuar me Covid-19 në Kosovë, 13 prej të cilëve janë shtrirë në Klinikën Infektive.

Në 24 orët e fundit, kanë rezultuar 15 raste pozitive nga 29 testime të kryera, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Instituti thotë se në dy javë e fundit, prej 31 korrikut deri më 13 gusht janë raportuar 510 persona pozitivë dhe një rast i vdekjes me Covid-19.

Sipas IKShPK-së, shtimi i rasteve pozitive është evident, por numri i të shtruarve në spital është shumë i vogël.

“Është evidente se ka rritje të numrit të rasteve pozitive dhe injorimi i masave të kujdesit shëndetësor, si mbajtja e higjienës, shmangia nga kontaktet me persona të infektuar, grumbullimet e ndryshme dhe ngjarjet e tjera të ngjashme, mund ta përhapin edhe më tej COVID-19” – thanë nga IKShPK për KALLXO.com.

Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj tha se dy pacientë të moshës së shtyrë janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.

Ndërkaq, një pacient është i infektuar me virusin e Nilit Perëndimor dhe sipas Vishajt është në gjendje stabile.

“Kemi kapacitete mjaftueshëm” – tha Vishaj i pyetur nëse kanë kapacitete mjaftueshëm për trajtimin e pacientëve me Covid.

Pandemia e Covid-19 u mbyll zyrtarisht më 24.05.2023 ga Qeveria e Kosovës, pasi që Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ky virus nuk paraqet më emergjencë globale shëndetësore.