255 kallëzime penale për gurthyesit dhe aktivitete tjera minerale

Zyra kombëtare e Auditimit ka treguar se për katër vjet, 2016-2019, Komisioni i Pavarur për Miniera e Minerale ka dorëzuar në prokurori 255 kallëzime penale për zhvillimin e aktiviteteve minerare pa licenca apo leje.

Përvec tyre Inspektorati i KPMM-së ka lëshuar edhe 198 aktvendimet për gjoba administrative të shqiptuara nga Inspektorati i KPMM-së gjatë viteve 2016-2019 për zhvillimin e aktiviteteve minerare pa licenca apo leje.

“Përgjatë viteve 2016-2019, janë evidentuar 453 raste ilegale të nxjerrjes së mineraleve të gurit të fortë, rërës dhe zhavorrit”, thuhet në raportin e Auditorit.

Ndërsa, vetëm gjatë vitit 2019, Inspektorati i KPMM-së vetëm gjatë vitit 2019 ka përcjellë 47 kallëzime penale në prokuroritë kompetente si dhe ka përgatitur 54 aktvendime për gjoba administrative lidhur me operimet jashtë kushteve të licencës së shfrytëzimit.

“Vendi ynë gjatë njëzet viteve të fundit përballet me degradim të lumenjve, kodrave dhe zonave malore nga të cilat nxirren materiale ndërtimore dhe industriale për ndërtimin e rrugëve dhe objekteve të banimit. Sipas raportimeve të MEA-së, gurëthyesit radhiten ndër ndotësit e mëdhenj të natyrës. Po ashtu, problemi rëndohet edhe më tepër kur kemi edhe humbje të jetëve të njerëzve nga këto vende ku nxirren minerale ndërtimore dhe industriale”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.