Foto:KALLXO.com
250 euro për të kaluar kufirin, Policia në Shqipëri arreston të dyshuarin që ndihmonte emigrantët
Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se ka arrestuar një 44-vjeçar, i cili dyshohet se kreu veprën penale “Ndihma për kalimin e paligjshëm të kufirit”.
Sipas Policisë, i arrestuari dyshohet se në vitin 2022, në afërsi të fshatit Luzat, Tepelenë, pasi është konstatuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, ka braktisur automjetin e tij tip “Benz”, me të cilin transportonte kundrejt pagesës prej 250 euro për person, nga Saranda drejt Malit të Zi, 7 emigrantë.
Policia tha se i dyshuari ishte shpallur në kërkim kombëtar e se si rezultat i kontrolleve, u bë e mundur kapja e shtetasit E. R., banues në Gjirokastër.
Tutje u tha se 44-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Ndihma për kalimin e paligjshëm të kufirit”.
Policia shtoi se në vijim të veprimeve shtetasi E.R. iu dorëzua shërbimeve të DVP Gjirokastër, ku nga ana e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve u bë ndalimi i tij dhe referimi i materialeve për veprime të mëtejshme në Prokurori.