Feride Rushiti 16.10.2024, Foto: KALLXO.com

25-vjetori i QKRMT, Rushiti për të mbijetuarat e luftës: Kam dëgju gra që kanë thanë - 'jetojmë të vdekura, në mesin e të gjallëve'

Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) është mbajtur konferenca ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt. 

Në këtë konferencë morën pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti.

Feride Rushiti, drejtoreshë në QKRMT ka kujtuar arritjet dhe aktivitetet e Qendrës që drejton dhe gjatë fjalimit të saj i kushtoi rëndësi të veçantë konferencës ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt.

Sipas Rushitit, QKRMT ishte themeluar në vjeshtën e vitit 1999, kurse para një viti ajo kishte përfunduar studimet e saj postdiplomike në Universitetin e Tiranës dhe për herë të parë kishte dëgjuar disa rrëfime drithëruese, pasi kishte takuar njerëz që ishin plagosur nga lufta.

“Në atë kohë në Universitetin e Tiranës punoja si një mjeke e re… Unë fillova të punoj në kampe duke i dhënë ndihmën personave që kishin parë tmerrin e luftës. Në mesin e këtyre persona ishin disa histori të fshehta, të trishta, që nuk kishin zë fare. Ishin pra të mbijetuarit e dhunës seksuale… Kuptova se përtej ndihmes mjekësore si mjeke e re ata kishin nevojë të madhe për përkrahje emocionale, shpirtërore dhe siguri” – ka deklaruar Rushiti.

Rushiti ka vlerësuar se stigma që përjetonin gratë e mbijetuara të dhunës seksuale, heshtja, turpi në familje ishin shumë të vështira për t’u ballafaquar, jo vetëm për të mbijetuarit, por edhe për familjarët dhe organizatat joqeveritare që punonin dhe vepronin në atë kohë.

Ajo tha se plotë 15 vjet kanë punuar në luftimin e stigmës për t’i rimëkëmbur të mbijetuarit e dhunës seksuale. 

“Në punën, veprimtarinë time 20-vjeçare shumë herë kam dëgju gra që kanë thanë – jetojmë të vdekura, në mesin e të gjallëve. Pse? Për faktin se ato nuk gjenin përkrahje as në familje, as në komunitet, fatkeqësisht në një periudhë kohore as nga institucionet” – tha Rushiti.

Tutje, Rushiti ka përmendur kontributin që kanë dhënë për themelimin dhe futjen në funksion të Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale.

“Aktualisht kur po flasim sot, pranë këtij Komisioni janë mbi 2,200 të mbijetuar që kanë aplikuar dhe mbi 1700 prej tyre që përfitojnë pension personal” – ka shtuar ajo.

Si një nga arritjet e tyre e rëndësishme të QKRMT, Rushiti ka përmendur edhe krijimin e një arkive gjithpërfshirëse për krimet e dhunës seksuale të kryera gjatë luftës.

“Si parakusht themelor për të ndërtuar një të vërtetë zyrtare përmes dokumentimit të historive të të mbijetuarve të dhunës seksuale, pavarësisht etnisë, gjinisë dhe bindjeve të tyre fetare. Duke bashkëpunuar ngushtë këtu me platformën ‘Bëhu zëri im’, platformë po ashtu e krijuar nga QKRMT në bashkëpunim me Qendrën për promovim të të drejtave të grave, Medica Gjakovën, arritëm që rreth 1,300 histori të dhimbshme, dramatike, të dokumentohen përmes një platforme elektronike, e cila ka për qëllim të krijojë një leternjoftim për gjithsecilin grua dhe burrë që e ka pas besimin me nda historinë e tyre” – ka treguar Rushiti.

Gjatë konferencës, me plotë emocione ka folur edhe viktima e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniq-Goodman. Ajo e ka nisur fjalimin e saj, duke e kujtuar një datë, 14.04.1999, e cila sipas saj, pavarësisht kohës që ka kaluar deri me tani, kurrë nuk do t’i largohet asaj.

“Lufta kurrë nuk sjellë diçka të mirë, por kur është një luftë e drejt, është ndërmjet ushtarëve, është ndryshe diçka. Mirëpo, kur je grua, kur je fëmijë, dhe je në duart e armikut atëherë është kurgjo që mund të krahasohet me të në këtë botë, në këtë gjendje” – është shprehur Krasniqi-Goodman.

Për Krasniqi-Goodman është e vështirë të jetë në Kosovë, pasi ka të mbijetuar të tjerë që e kontaktojnë e si rrjedhojë ajo e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, pasi sipas saj, duhet të bëjnë më shumë për të mbijetuarit.

“Vetëm u premtohet që të aplikojnë për një pension dhe mandej shkojnë, aplikojnë për pension dhe iu mohohet kjo dhe kjo është diçka që nuk mund me ia falë Qeverisë sime, duhet të bëjnë pakëz më shumë për këta të mbijetuar, sepse nuk mundesh me dëshmu tek doktori për diçka që ka ndodhë para 25 vitesh dhe për dikënd me u ulë dhe me të thanë në fytyrë – ti s’je e mbijetuar që edhe ajo është njëfar lloj përdhunimi në vetvete kur ta mohon këtë” – ka thënë Krasniqi-Goodman.

Në fund të fjalimit të saj, Krasniqi-Goodman e ka falenderuar familjen e saj që i kanë qëndruar afër për 25 vjetët e fundit.

Kurse, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka vlerësuar fjalimin e Krasniqi-Goodman të rëndësishëm, pasi sipas Osmanit, edhe pas 25 vitesh ajo jep një mesazh me pak fjalë po me një fuqi të jashtëzakonshme që ka arritur të thejë barriera.

“Ju jeni heroinat, ju jeni krenaria dhe vetë nderi i Kosovës. Përgjatë këtyre 25 viteve QKRMT ka berë një gjë që është e vështirë të përshkruhet me një falenderim. U bë një shtëpi e sigurtë jo vetëm në aspektin fizik por edhe në atë emocional për viktima të pa numërta që u siguruan që mund të flasin para popullit të Kosovës, para botës dhe të vazhdojnë luftën tonë të pandalshme për drejtësi. Dua të ju siguroj që mbeshtetja jonë për ju nuk do të ndalet por do të rritet, do të vazhdoj” – ka thënë presidentja Osmani.

Presidentja Osmani konsideroi se përgjatë 25 viteve vazhdimisht kanë kujtuar dhimbjen e së shkuarës dhe sipas saj, ka vendosmëri të palëkundur për drejtësi. 

“Edhe në luftën gjenocidale të Millosheviqit u përdor dhuna seksuale si armë, si arma më mizore… Historia dëshmoi qëndresë të pa epur, edhe nëpërmjet guximit të të mbijetuarave për ta ngritur zërin. Nuk ka forcë e krim sado brutal që mund ta thyej shpirtin e një populli që kërkon liri. Nuk ka. Me praninë tuaj po e dëshmoni që duhet të luftojmë që historia të mos përsëritet” – tha Osmani.

Ndërsa, kryeministri i vendit, Albin Kurti u shpreh se përkundër traumave të pashlyeshme, të mbijetuarat kanë treguar forcë për të ndërtuar një jetë të re.

Me këtë rast, kryeministri Kurti përmendi angazhimin e të mbijetuares të dhunës seksuale, Shyhrete Tahiri Sylejmani.

“Si shtet e shoqëri ne po ecim përpara, teksa po punojmë për ballafaqimin me të kaluarën…

Kemi filluar procesin e dokumentimit të krimeve gjatë luftës në Kosovë. Për të garantuar ndjeshmërinë gjinore në këtë proces jemi të lumtur që është angazhuar zonja Shyhrete Tahiri Sylejmani. Për të lehtësuar sa më shumë procesin e aplikimit për njohjen e statusit, Qeveria do të vazhdoj mbështetjen për katër organizata” – tha Kurti.

Përveç krerëve të shtetit, në konferencën ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt, mori pjes edhe Denis Mukwege, laureat i Çmimit Nobel për Paqe.