Foto: ZKM

25-vjetori i Epopesë së UÇK-së, Kurti: Prekazi, kryeqytet i kryengritjes shqiptare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, në nderim të 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Presidentja Osmani ka thënë kujtimi për familjen Jasharaj do të jetë i përhershëm.

“Ata nuk i kurseu regjimi gjenocidal i Serbisë. Siç e dini në mesin e të vrarëve kishte edhe fëmijë 5-vjeçar dhe kujtimi për ta do të jetë i përjetshëm” – ka thënë Osmani.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, e quajti Prekazin kryeqytet i kryengritjes shqiptare.

“Para 25 vjetëve, 3 breza të Jasharajve luftuan 3 ditë rresht me mijëra forca policore të Serbisë që e kishin rrethuar kullën e Jasharajve, në mënyrë të shumëfishtë. Ranë gjithsej 59 veta. Ne kthehemi e rikthehemi në kryeqytetin e kryengritjes shqiptare për ta kujtuar e përkujtuar epopenë e UÇK-së, që i dha hov dhe mundësoi çlirimin dhe lirinë e vendit tonë” – tha Kurti.

Ai ka thënë se gratë e burrat, pleqtë e të rinjtë e fëmijët e Jasharajve i kujton me mall, me pikëllim e me dhembje, por edhe me krenari, dashuri e admirim.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se rrënjët e vërteta të UÇK-së janë në luftën heroike e të lavdishme të Jasharajve.

“Përveç kësaj edhe Bashkësia Ndërkombëtare lëvizi dhe e kuptoi luftën tonë mbrojtës. Për popullin e Kosovës kjo mbetet një ndër ngjarjet më të rëndësishme” – ka thënë ai.

Pas homazheve te varrezat, kryeministri Kurti së bashku me presidenten Osmani dhe Konjufcën, , vizituan odën e Jasharajave, ku u pritën nga kryefamiljari Rifat Jashari, vëllai i Adem dhe Hamëz Jasharit. Aty, me këtë rast, presidentja e vendit i ndau Rifat Jasharit medaljen “Urdhri i Lirisë”.

Rifat Jashari nderohet me “Urdhrin e Lirisë”