25 vjet në kërkim të fatit të Remzi Hoxhës, familjarët do t'i ndërtojnë memorial

Me rastin e 25-vjetorit të rrëmbimit dhe vrasjes së Remzi Hoxhës, familjarët e tij kanë mbajtur një konferencë për media.

Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës tha se babain e tij e kanë rrëmbyer gjatë ditës në vendin e tij të punës në Shqipëri, në tetor të vitit 1995, dhe sipas tij këtë e kanë bërë persona të Shërbimit Informativ Shqiptar (ShISh) që në vitet 1990 quhej Shërbimi Informativ Kombëtar (ShIK).

“Që nga ajo ditë është pa nam. Janë përpjekë që të na çojnë në kahje të ndryshme dhe kanë dhënë konotacione të ndryshme. Pas 17 viteve përpjekje, angazhim, maltretim psikik e emocional, sorollatje nga zyrat e gjitha institucioneve, u deshën 17 vite që gjykata e krimeve te rënda në Shqipëri, të vendosin që personat që e rrëmbyen, ishin 9 persona të SHIK Bashkim Gazidede nën urdhërat e Sali Berishës”, tha Hoxha.

Sipas tij, personat janë të cekur me emër e mbiemër.

“Sado që Sali Berisha mundohet të thotë se nuk e kemi bërë ne, është politike, unë e theksoj se nuk ka asgjë politike. Fajin ia kanë lënë vetëm Ilir Kumbaros dhe Iliri përkrahet nga ky grupacion dhe është në arrati dhe faji mbetet jetim. Sot i kemi 25 vite pa eshtra dhe vuajtje. Ne si familje duam që babait tim t’ja bëjmë një varr memorial ku edhe mund të shkojmë dhe ta vizatojmë”, shtoi Hoxha.

Nexhmedin Hoxha, vëllai i Remzi Hoxhës, tha se për të është e vështirë që djali i vëllait të tij të tërhiqet nga kërkesa për eshtrat e Remziut.

“Kemi bo përpjekje të pamundshme me ardh te një e vërtetë e cila pas 17 viteve fajtor janë shërbimi informativ. I dënuari është në arrati.  Unë kam deklaru që gjak për të shitë nuk kam. Kur të gjinden eshtrat atëherë familja mundet me u dëmshpërbly. Për t’ia falë gjakun nuk e kam ndërmend”, tha ai.

Ndërsa, avokati Tomë Gashi tha se me institucionet ndërkombëtare do të angazhohen që ta rihapin rastin e Remzi Hoxhës.

“Me ndihmën e familjes hoxha kemi angazhu edhe institucionet ndërkombëtare për ta rihap rastin e Remzi Hoxhës. Gjykimet filluan dhe ka qenë e pamundur të bëhet më tepër. Rasti i Remzi Hoxhës mos u harroftë kurrë e mos u përsërit kurrë”, tha Gashi.