Foto-ilustrim

25 vjet burg për mikun që vrau dhëndrin në Bardhaniq të Gjakovës

Për vrasjen e ndodhur në korrik të vitit 2020 në Bardhaniq të Gjakovës, ku miku vrau dhëndrin duke e goditur disa herë me thikë, Gjykata e Gjakovës për të dytën herë sot e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar Col Imerajn nga Tropoja.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Lekë Muqaj, zyrtar për informim  i Gjykatës së Gjakovës.

“Imeraj sipas aktgjykimit të shpallur për vrasje të rëndë është dënuar me 22 vite burgim, për tentim vrasje me 4 vjet burgim ndërsa për lëndim të lehtë trupor me 6 muaj burgim”, ka thënë Lekë Muqaj.

Kurse ndaj të njëjtit Gjykata e Gjakovës i ka shqiptuar burgimin unik prej 25 viteve, duke iu llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.

KALLXO.com gjatë ditës ka tentuar që të flasë me avokatin e të akuzuarit, mirëpo i njëjti deri në publikim e këtij shkrimi nuk është përgjigjur.

Sipas aktakuzës, Col Imeraj me dashje ka privuar nga jeta dhëndrin N.M., në shtëpinë e tij në fshatin Bardhaniq të Gjakovës.

Aktakuza thotë se përderisa i ndjeri ishte në dhomën e tij të gjumit, Imeraj me një thikë e çekan hekuri, hap derën e dhomës dhe e godet disa herë me thikë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, për të cilat veprime i vihet në barrë akuza e vrasjes së rëndë.

Tutje thuhet se në dhomën e gjumit kishte qenë edhe bashkëshortja e të ndjerit D.M., e që ishte kushërira e tani të akuzuarit Col Imeraj, ku i njëjti po atë moment kushërirën e tij e kishte goditur me thikë në krahun e majtë dhe në dorën e djathtë, me çka akuzohet për lëndim të lehtë trupor.

Përveç kësaj i njëjti shkon edhe në dhomën tjetër, ku prezent ka qenë djali i viktimës M.M., duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, e duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, për të cilat veprime ngarkohet me veprën e vrasjes në tentativë.

Për këto pretendime, Gjykata e Gjakovës të njëjtin me 25 maj të këtij viti e kishte dënuar me 27 vite burgim. Imeraj për vrasje të rëndë u dënua me 23 vite, për vrasje në tentativë 4 vite e 6 muaj dhe për lëndim të lehtë trupor me 6 muaj burgim, dënime këto që u unifikuan në 27 vite burgim.

Vrasja e dhëndrit në Bardhaniq të Gjakovës, 27 vite burgim për mikun nga Shqipëria

Mirëpo, vendimi i Themelores nuk e kishte marrë aprovimin e Apelit pasi shkalla e dytë e ktheu çështjen në rigjykim.

Një dosje e rëndë e vrasjes kthehet në rigjykim për një pyetje

Apeli kishte ardhur në përfundim se ka pasur shkelje esenciale të dispozitave ligjore, saktësisht lidhur me deklarimin për pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Col Imeraj.