Ilustrim - Siri
25 të vdekur në Siri – Rusia intensifikon sulmet në territorin e rebelëve
Së paku 25 persona janë vrarë në Sirinë veriperëndimore gjatë bombardimeve ajrore të kryera nga Rusia dhe Qeveria siriane, ka bërë të ditur shërbimi i emergjencave i opozitës, i njohur si “Helmetat e Bardha”, ka raportuar më 02.12.2024 agjencia e lajmeve Reuters.
Aeroplanët bombardues sirianë dhe rusë kanë qëlluar qytetin Idlib në Sirinë veriore, kanë bërë të ditur burimet, derisa presidenti Bashar al-Assad është zotuar se do t’i shtypë kryengritësit që kanë marrë kontrollin e një hise të madhe të qytetit të Halepit.
Ushtria ka bërë të ditur gjithashtu se ka rikthyer kontrollin e disa qytezave që ishin sulmuar e marrë nga kryengritësit në ditët e fundit. Banorët kanë thënë se bombardimet ajrore kanë qëlluar zona të banueshme në qendër të Idlibit, qyteti më i madh në një enklavë rebele afër kufirit me Turqinë, ku jetojnë rreth katër milionë banorë në tenda najloni dhe në vendbanime të ndryshme.
Së paku shtatë persona janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur, kanë bërë të ditur ekipet e kërkim-shpëtimit në vendin e ngjarjes.
Ushtria siriane dhe aleatja e saj Rusia thonë se kanë shënjestruar vendndodhjet e grupeve kryengritëse dhe i kanë hedhur poshtë akuzat se kanë qëlluar vendbanimet civile.
Dhjetë fëmijë ishin në mesin e të vdekurve nga sulmet ajrore në dhe përreth Idlibit dhe në zonat tjera të Halepit të dielën, kanë bërë të ditur “Helmetat e Bardha”.
Numri total i vrarëve prej sulmeve ajrore siriane dhe ruse prej 27 nëntorit ka shkuar në 56, përfshirë 20 viktima, ka bërë të ditur grupi në një postim në X.
Reutersi nuk ka qenë në gjendje që t’i verifikojë në mënyrë të pavarur.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com