Pjetër Ndrecaj në gjykimin për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij

24 vjet e gjysmë burg për Pjetër Ndrecajn, pala e dëmtuar paralajmëron ankesë ndaj lartësisë së dënimit

Gjykata e Gjakovës sot e dënoi Pjetër Ndrecajn me 24 vjet e gjysmë burg për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij. Ndaj këtij vendimi, ankesë ka paralajmëruar Isa Osdautaj, avokati i palës së dëmtuar – vëllait të viktimës Valbona Ndrecaj, Kujtim Marku.

Trupi gjykues në këtë rast ka qenë i përbërë nga kryetariim Pozhegu dhe anëtarët Mizair Shabani dhe Ilir Rashkaj.

Në një deklaratë për media, avokati Osdautaj ka thënë që do të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit dhe se këtë ankesë do ta bëjë kundër lartësisë së dënimit.

Ndonëse, Pjetër Ndrecaj sot u dënua për të dytën herë nga e njëjta Gjykatë, dënim ky që ishte 6 muaj më i lartë sesa herën e parë, e më i vogël në krahasim me Gjykatën e Apelit.

Pjetër Ndrecaj në nëntor të vitit 2018 ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata e Gjakovës, ndërsa dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij, Valbona Ndrecaj.

Nga Gjykata e Apelit Pjetër Ndrecajt iu dha dënimi më i lartë në Kosovë – burgim i përjetshëm, ndërsa Gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.

Kolegji i Gjykatës Supreme kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas Gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e 7 gushtit 2018.

I akuzuari për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij, Pjetër Ndrecaj, u soll i prangosur dhe i përcjellë nga Policia në Gjykatë.