Deputeti Çoçaj nga Kuvendi i Kosovës akuzon Shpend Ahmetin për korrupsion

Në interpelancën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar, deputeti i PDK-së Nezir Çoçaj ka akuzuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë për korrupsion, klientelizëm, nepotizëm e kapje institucionesh, përgjatë  periudhës 2013-2017.

Deputeti i PSD-së Dardan Sejdiu, ka replikuar me deputetin e PDK-së duke i thënë se nëse ka fakte për ato që po i thotë, le t’i dërgojë në prokurori.

“Këta kanë punësuar kundërligjshëm mbi  500 militantë në administratën e Prishtinës dhe i detyronin t’i digjnin institucionet me mollotov. I kanë kapur edhe ndërmarrjet publike kudo që kanë mundur dhe me militant të shumtë i kanë mbushur edhe  ndërmarrjet publike banesore të Prishtinës”, tha deputeti Nezir Çoçaj.

Deputeti Çoçaj tha se Vetëvendosje gjatë qeverisjes së tyre kanë bërë biznes me leje ndërtimore ku kanë përfituar familjarët dhe miqtë e tyre me tender.

“Krejt kubëzat që kanë dashur t’i ndërtojnë në Prishtinë janë produkte të kompanive të afërta me ta ose të tyre, si mjekët Afrim Lytaj dhe Jusuf Ulaj, ky i fundit edhe kryesues i komitetit për shëndetësi dhe kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje. Për shkak të interesave financiare dhe pushtetit të kapur në Prishtinë i kanë hyrë bizneseve edhe me beton produkte duke abuzuar me tenderët e Komunës së Prishtinës, herë si kontraktorë e herë si sub-kontraktorë. Pra, me kompaninë R.U.B këta i furnizojnë me produkte shumicën e kompanive që marrin punime për rrugët e Prishtinës. Bashkëpronarë me këta në kompani, ju kanë dalë dokumentet edhe nëpër media është edhe pronari i kompanisë Rexha, i cili është edhe mik i Ulajt dhe njëri prej përfituesve më të mëdhenj nga komuna e Prishtinës”, tha deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj.

Ai përmendi një skandal të ish drejtorit për investime kapitale dhe menaxhim të Kontratave, Hysen Dermishi.

Deputeti Çoçaj tha se Dermishi për një vit kishte shpërblyer me katër tenderë përkatësisht rreth 1.2 milion euro kompaninë Sopi, e që sipas Çoçajt, Hysen Dermishi  kishte punuar si menaxher aty në periudhën 2009-2010.

Deputeti Dardan Sejdiu I ka bërë ftesë prokurorit të shkojë tek Nezir Çoçaj , ose këtij të fundit tek prokurori, për t’ia dhënë dëshmitë për akuzat që i ka bërë kundrejt qeverisjes së Shpend Ahmetit në Prishtinë.

“Po të bëjë ftesë ty e prokurorit. Ja shko ti te aj,  ja të vinë aj te ti dhe këtë farë elozheje të akuzave t’i transferosh në dëshmi”, përfundoi Sejdiu.

Shpend Ahmeti e Dardan Sejdiu janë dorëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe tani janë pjesë e Partisë Social Demokrate. Ahmeti si kryetar i kësaj partie e Sejdiu si deputet.